Thursday, 26. November 2026
Sport

Operacioni “Shkolla të Pastra”, kapet me mbi 400 gramë kokainë 43-vjeçari

GS 26/11/2026 2 Min. Lesezeit

Një 43-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Shkolla të Pastra”, pasi u kap me dhjetëra doza kokaine të gatshme për shitje në afërsi të një institucioni arsimor.

Sipas policisë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve finalizuan një tjetër fazë të operacionit, i cili synon parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në mjediset shkollore dhe zonat e frekuentuara nga të rinjtë.

Në pranga ra shtetasi me iniciale S. I., 43 vjeç, i cili u kap në një lokal pranë një shkolle në rrugën “Viktor Eftimiu”. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 30 doza të lëndës narkotike kokainë, të përgatitura për shitje.

Hetimet vijuan me kontrollin e banesës së të arrestuarit, ku policia zbuloi edhe 393.6 gramë kokainë, e cila dyshohet se do të ndahej në doza për t’u shpërndarë në afërsi të shkollave dhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në total u sekuestruan 407 gramë lëndë narkotike kokainë, si dhe dy telefona celularë që pritet t’i shërbejnë hetimit për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.

 

/rtsh.al/

Teilen: