Bayern Munich po përballet me probleme të mëdha në repartin ofensiv, pasi Michael Olise i është bashkuar Harry Kane në listën e futbollistëve të lënduar, në prag të ndeshjes së së shtunës kundër Hamburger SV në Bundesliga.
Trajneri i bavarezëve, Vincent Kompany, ka konfirmuar sot se Olise nuk do të jetë i gatshëm për këtë përballje, ndërsa rikthimi i tij në fushë mbetet i paqartë.
Francezi pësoi një lëndim në këmbë në barazimin 1-1 ndaj Kolnit javën e kaluar dhe mungoi në humbjen 2-1 kundër Lille në Ligën e Kampionëve, disfatë kjo që ishte e para për Bayernin këtë sezon.
Problemet për gjigantin gjerman janë shtuar edhe më shumë pas lëndimit të Harry Kane, i cili pësoi një këputje të ligamentit në kyçin e këmbës së majtë dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale. Sulmuesi anglez pritet të mungojë për disa muaj.
Në mungesë të alternativave në sulm, Kompany kishte vendosur mesfushorin Konrad Laimer në pozitën e sulmuesit kryesor në ndeshjen ndaj Lille, por kjo zgjidhje nuk rezultoi e suksesshme.
“Po përballemi me një realitet, na mungojnë 130 gola nga skuadra”, deklaroi Kompany, duke iu referuar mungesave të shumta në ekip.
Megjithatë, Bayerni mund të përfitojë nga rikthimi i mundshëm i Jamal Musialas dhe Luis Diazit. Musiala ka regjistruar dy paraqitje si zëvendësues pas rikthimit nga një lëndim muskulor, ndërsa Diaz u aktivizua në pjesën e dytë ndaj Lille, pas një muaji mungesë për shkak të problemeve fizike.
Ndërkohë, Ismael Saibari ka munguar pas një operimi për këputje të ligamentit në kyçin e këmbës së djathtë, ndërsa Serge Gnabry është duke u rikuperuar nga një lëndim në muskulin e pasmë të kofshës së majtë. Jashtë fushave është edhe portieri Manuel Neuer.
Pas 10 xhirove të zhvilluara në Bundesliga, Bayern Munich renditet pas Borussia Dortmundit me dy pikë më pak. Të dyja skuadrat vazhdojnë të jenë të pamposhtura në kampionat, ndërsa Dortmundi të dielën do të përballet me Bayer Leverkusenin.