Friday, 27. November 2026
Sport

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës, GJKKO pranon provat e SPAK. Bisedat në Sky ECC zbardhin komunikimet mes të akuzuarve

GS 27/11/2026 3 Min. Lesezeit

Gjykata e Posaçme ka pranuar provat e paraqitura nga SPAK në procesin gjyqësor ndaj Dritan Rexhepit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ngjarje që tronditi opinionin publik në janar të vitit 2020. Mes provave të pranuara janë edhe komunikimet në aplikacionin e koduar Sky ECC, ku, sipas SPAK, të pandehurit kanë diskutuar për trafikun e drogës dhe rrëmbimin e Prengës.

Në seancën e zhvilluar në GJKKO, prokuroria ka paraqitur komunikime mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit. Sipas SPAK, personat e përfshirë në këto biseda janë identifikuar përmes kodeve që përdornin në aplikacionin e enkriptuar.

Nga analiza e komunikimeve, sipas organit të akuzës, rezulton se të pandehurit kanë shkëmbyer mesazhe gjatë vitit 2020, ku kanë diskutuar për ngarkesën e drogës dhe organizimin e rrëmbimit të Jan Prengës.

SPAK ka paraqitur gjithashtu në gjykatë komunikime që, sipas prokurorisë, lidhen me mesazhe të dërguara drejt vëllait të Jan Prengës, i cili në atë kohë ndodhej në burg.

Një tjetër detaj i bërë i ditur nga organi i akuzës lidhet me diskutimet për mundësinë e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës. Sipas SPAK, në komunikime është folur për këtë skenar, por në fund është rrëmbyer Jan Prenga.

Pas pranimit të provave të prokurorisë, në seancën e radhës, e cila është caktuar më 11 dhjetor, në orën 10:00, pritet që mbrojtja të paraqesë analizën dhe qëndrimin e saj lidhur me materialet e administruara në proces.

Ndërkohë, gjykata ka urdhëruar edhe njoftimin për procesin gjyqësor të Korado Keshtenjas, i cili raportohet se është i arrestuar dhe ndodhet në Londër.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 17 janar 2020 në Kamëz, ku 49-vjeçari Jan Prenga, baba i pesë fëmijëve dhe i vetmi nga vëllezërit që jetonte në Shqipëri, u rrëmbye me një automjet të vjedhur. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), urdhri për rrëmbimin u dha si formë presioni dhe hakmarrjeje, pasi njëri nga vëllezërit e viktimës, dyshohet se kishte mbajtur peng apo kishte vjedhur një ngarkesë prej rreth 283–300 kilogramësh kokainë në portin e Portsmouth-it në Angli.

Përgjimet telefonike të siguruara nga hetuesit zbuluan se urdhëruesit e dyshuar të pengmarrjes ishin Dritan Rexhepi, i cili në atë kohë vuante dënimin në një burg në Ekuador dhe Gentian Doçi (Funiqi), të cilët synonin të detyronin Astrit Prengën të kthente sasinë e drogës.

Pas pengmarrjes në Kamëz, Jan Prenga u dërgua në kompleksin “Golden” në Shijak, në pronësi të Altin Hajrit. Kamerat e sigurisë së resortit fiksuan lëvizjet e pengmarrësve si dhe momentin kur trupi i pajetë i 49-vjeçarit u nxor nga ambientet e kompleksit me një furgon të bardhë. Pavarësisht hetimeve dhe proceseve gjyqësore, vendndodhja e trupit të Jan Prengës mbetet ende e pazbuluar.

/rtsh.al/

Teilen: