Friday, 27. November 2026
Sport

Llapi triumfon në Malishevë, tri fitore rresht për Batatinën

GS 27/11/2026 2 Min. Lesezeit

Pas serisë së tmerrshme për herë të parë në këtë sezon Llapi ka realizuar tri fitore rresht, duke bërë hapa të mëdhenj drejt largimit nga fundi i tabelës.

Ekipi i Tahir Batatinës, shënoi fitore të madhe në udhëtim te Malisheva, të cilën e mposhti 2:3 për t’u ngjitur në vendin e tetë me 14 pikë, tani.

Dy herë ishte në disavantazh ekipi llapjan, duke ia dalë ta përmbys dhe ta fitoj këtë ndeshje të rëndësishme.

Xhemail Ibishi e kaloi Malishevën në epërsi pas 24 minutave lojë, por një minutë më pas, rezultati u barazua përmes Fiton Ademit.
Ekipi vendës shkoi në pushim me avantazh prej 2:1 kur realizoi Kreshnik Uka pak para se të mbyllej pjesa e parë në “Liman Gegaj”.

Por në pjesën e dytë, Llapi ka barazuar sërish me Fiton Ademin, pas një ore lojë, ndërsa Malisheva mbeti me një lojtar më pak, për shkak të kartonit të kuq të Arlind Veliut. Epërsinë numerike në fushë e shfrytëzoi Llapi që përmes Pjero Skariq, shënoi golin e fitores për 2:3.

Kjo ishte vetëm fitorja e katërt e Llapit, përderisa Malisheva e ka pësuar humbjen e tretë sezonale, të dytën brenda tri ndeshjeve të fundit.

Teilen: