Një depozitë uji me kapacitet 5 tonë ka rënë nga taraca e një pallati 8-katësh në lagjen “Apollonia” të Fierit, si pasojë e erërave të forta që përfshinë zonën gjatë mbrëmjes së djeshme.
Fatmirësisht, në momentin e incidentit nuk ka pasur persona pranë vendit ku përfundoi depozita, duke shmangur kështu pasoja të mundshme për qytetarët.
Menjëherë pas ngjarjes, në zonë kanë ndërhyrë strukturat përgjegjëse.
Policia Bashkiake po monitoron situatën dhe po koordinon veprimet me Ndërmarrjen e Gjelbërimit dhe të Parqeve pranë Bashkisë Fier për largimin e depozitës dhe rikthimin e normalitetit në zonë.
Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes, ndërsa vijojnë verifikimet për dëmet e mundshme dhe masat që duhen marrë për të shmangur incidente të ngjashme në kushtet e motit të paqëndrueshëm.
/rtsh.al/