Pas më shumë se tre orësh tensione dhe përplasjesh në qendër të Tiranës, situata në Sheshin “Skënderbej” është vënë nën kontroll nga forcat e policisë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTSH 24, gazetarja Flutura Toto raportoi nga terreni se protestuesit janë shpërndarë në pjesën më të madhe, ndërsa efektivët vijojnë patrullimin për të parandaluar incidente të tjera.
“Pas më shumë se tre orë përplasje jo vetëm në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, por edhe në Sheshin ‘Skënderbej’, tashmë situata duket se është e qetë dhe e marrë nën kontroll nga ana e Policisë së Shtetit”, tha gazetarja gjatë raportimit të saj.
Sipas saj, policia ka rrethuar të gjithë perimetrin e sheshit me forca të shumta dhe mjete për shpërndarjen e turmave, duke bërë të mundur largimin e protestuesve që më herët kishin hedhur mjete piroteknike, bomba molotov, gurë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve dhe institucioneve të vendosura pranë sheshit.
“Policia e Shtetit tashmë e ka rrethuar komplet Sheshin ‘Skënderbej’ me mjete që bëjnë të mundur shpërndarjen e ujit, por edhe me forca policore, duke bërë të mundur shpërndarjen e masës së madhe të protestuesve”, u shpreh Toto.
Gazetarja theksoi se, megjithëse pjesa më e madhe e protestuesve është larguar, në zonën pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dëgjoheshin ende herë pas here thirrje kundër qeverisë.
“Aktualisht protestuesit janë shpërndarë, ndonëse tek TKOB dëgjohen edhe thirrje të ndryshme kundër qeverisë”, raportoi ajo.
Ndërkohë, policia ka vijuar të përdorë gaz lotsjellës në sasi më të kufizuara krahasuar me momentet më të tensionuara të protestës, kur përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit ishin më të forta.
Sa i përket të lënduarve, Flutura Toto iu referua bilancit të Ministrisë së Shëndetësisë, sipas të cilit në institucionet spitalore janë paraqitur gjithsej 19 persona.
“Janë pesë efektivë policie, katër përfaqësues të medias, përfshirë edhe një gazetare të huaj, si dhe tetë protestues që po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës. Të gjithë janë në gjendje shëndetësore stabël”, raportoi gazetarja.
Ajo shtoi se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” po trajtohen gjithashtu një efektiv policie dhe një protestues.
Nga kontaktet me policinë, gazetarja bëri me dije se dhjetëra efektivë kanë pësuar dëmtime gjatë përplasjeve si pasojë e goditjeve me sende të forta, ndërsa janë raportuar edhe protestues të lënduar gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit.
“Ka pasur edhe protestues të lënduar nga ana e policisë, duke qenë se kjo e fundit ka përdorur edhe plumba gome, sidomos ndaj elementëve të identifikuar si më të dhunshëm”, deklaroi Toto.
Megjithëse situata është qetësuar ndjeshëm, në zonën e sheshit vijojnë të dëgjohen sporadikisht shpërthime mjetesh piroteknike, ndërsa forcat e policisë mbeten të dislokuara në terren për të shmangur rikthimin e tensioneve.
“Nuk kemi më një arenë përplasjesh mes protestuesve dhe policisë. Tashmë kemi patrullim të efektivëve në shesh dhe në zonat përreth për të mbajtur situatën nën kontroll”, tha gazetarja e RTSH 24.
Sipas saj, në shpërndarjen e protestuesve kanë ndikuar edhe reshjet e shiut që kanë shoqëruar gjatë gjithë ditës kryeqytetin, ndërsa mbetet e paqartë nëse tubuesit do të organizohen sërish në mbrëmje pranë Kryeministrisë.
/rtsh.al/