Reshjet e dendura të dëborës kanë përfshirë qarkun e Dibrës, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në disa segmente rrugore. Situata më problematike paraqitet në aksin Maqellarë-Peshkopi, veçanërisht në zonën pranë Çenokut, ku prania e dëborës dhe akullit ka vështirësuar lëvizjen e mjeteve.
Temperaturat e ulëta dhe reshjet e vazhdueshme kanë krijuar shtresa dëbore në rrugë, duke rritur rrezikun e rrëshqitjeve dhe incidenteve rrugore. Drejtuesit e automjeteve këshillohen të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes, të respektojnë shpejtësinë e lejuar dhe të përdorin goma dimërore ose pajisje të tjera të nevojshme për kushtet atmosferike.
Banorët dhe përdoruesit e këtij aksi kërkojnë ndërhyrjen e strukturave përgjegjëse për pastrimin e rrugës dhe hedhjen e kripës, në mënyrë që qarkullimi të vijojë në kushte sa më të sigurta. Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme në zonat e prekura nga reshjet intensive të dëborës.
/rtsh.al/