Sot në kuadër të shënimit të 7-vjetorit të anëtarësimit në FIFA, Komiteti Ekzekutiv ka organizuar një koktej me administratën e FFK-së.
Me këtë rast, kryetari Agim Ademi ka folur për rëndësinë e kësaj date dhe për ndryshimin rrënjësor që ka sjellë anëtarësimi në familjen e madhe të futbollit botëror në Kosovë, tek komuniteti i futbollit dhe jo vetëm.
“Sot, në këtë ditë të veçantë, duam t’u shprehim mirënjohje të gjithë protagonistëve që kanë kontribuar në rrugën tonë drejt anëtarësimit në FIFA, duke filluar nga periudha e kryetarit Agim Bytyqi, e për të vazhduar me periudhën e Rexhep Abdullahut, Sabri Hashanit dhe së fundmi të Fadil Vokrrit, ku bashkërisht e finalizuam objektivin e madh. Një falënderim të veçantë ia adresojmë parasegjithash futbollistëve të shumë gjeneratave, të cilët edhepse në kushte të vështira vazhduan të luajnë dhe ta promovojnë futbollin tonë, duke na e lehtësuar kësisoj anëtarësimin në familjen botërore të futbollit”, ka thënë kreu i FFK-së.
Ai tutje theksoi se secili që është pjesë e administratës së Federatës së Futbollit duhet ta konsiderojë këtë nder dhe privilegj të veçantë.
“Le të respektojmë futbollin dhe të kujdesemi për shtëpinë tonë të përbashkët, me punë e përkushtim. Unë jam jashtëzakonisht i lumtur që kemi arritur të krijojmë një administratë të përbërë nga profesionistë, të cilët po e bëjnë një punë të shkëlqyeshme. Puna juaj është vlerësuar edhe nga zyrtarët e UEFA-së dhe FIFA-së. Jam krenar për punën që kemi bërë dhe që bashkërisht kemi fituar kredibilitet në këto dy institucione”, ka shtuar presidenti Ademi.
Ai ka thënë se synimi i FFK-së është që në të ardhmen e afërt të jenë pjesë e evente të mëdha si Kampionati Evropian apo Kampionati Botëror. “Ne të gjithë e dimë se çfarë ndikimi ka futbolli në jetën e njerëzve dhe në imazhin e shteteve. Prandaj, edhe pse jemi një vend i vogël, synojmë të jemi pjesë e eventeve të mëdha, ngase kemi potencial të futbollistëve dhe talente të jashtëzakonshme”, është shprehur tutje Ademi.
Ai në fund i uroi të gjithë stafin e administratës së FFK-së, duke kërkuar prej tyre që ta vlerësojnë rëndësinë e kësaj date dhe të qenit pjesë e FFK-së, si dhe shprehu urime për të gjithë komunitetin e futbollit në Kosovë, duke u zotuar se bashkë me KE-në do të vazhdojnë të realizojnë projekte për progresin e mëtejmë të futbollit në vend./Lajmi.net/