Vedat Muriqi po luan me sukses në fanellën e Mallorcas në sezonin e tij të dytë.
Në të parin ishte i huazuar nga Lazio, ndërsa gjatë verës së kaluar klubi ishullor spanjoll e bleu kartonin e tij dhe “Pirati” po ia shpaguan këtij klubi çdo cent të shpenzuar për të.
Sulmuesi kosovar i ka realizuar 13 gola në La Liga këtë sezon dhe i ka dhuruar edhe tre asistime.
Kjo ka bërë që të spekulohet për interesimin e klubeve më të njohura se Mallorca për shërbimet e tij.
Por, mediumi spanjoll “El Gol Digital” shkruan se klubit të La Ligas nuk i konvenon ta shesë përfaqësuesin kosovar.
Kjo për faktin se në marrëveshje me Lazion është vendosur që për një shitje eventuale të Muriqit, klubi italian t’i marrë 45 për qind të fitimit.
Kjo i bie që Mallorcës do t’i mbeteshin vetëm 55 për qind.
Më saktësisht, nëse klubi spanjoll e shet Muriqin për 20 milionë euro, maksimumi që mund ta shesë, klubit ishullor do t’i takonin pak më shumë se 10 milionë euro.
Prandaj, Mallorca do të mundohet ta shijojë kontributin e prizrenasit sa më gjatë të jetë e mundur, mundësisht deri në përfundim të kontratës.
Ish-futbollisti i Fenerbahçes është bërë një lojtar mjaft i dashur për popullin e Mallorcas, të cilët e konsiderojnë atë si një hero pasi e shpëtoi qe dy sezone rresht ekipin pa rënë nga La Liga.