Klubi i Futbollit të Femrave, Hajvalia ka reaguar pas akuzave të KFF Mitrovicës në prag të finales së Kupës së Kosovës në futbollin e femrave.
Hajvalia dhe Mitrovica do të përballen në finale të mërkurën nga ora 17:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, shkruan lajmi.net.
Gjatë ditës së hënë (sot) KFF Mitrovica me anë të një postimi në faqen zyrtare akuzoi klubin kundërshtar për disa veprime josportive nga ana e tyre e të cilat, sipas tyre, janë të jashtëligjshme.
Pas akuzave të mitrovicasve, ka reaguar klubi nga Hajvalia të cilët kanë mohuar akuzat për kurdisje të ndeshjeve.
Ata kanë paralajmëruar edhe padi ndaj klubit të Mitrovicës për shpifje dhe prishje të imazhit të presidentit të klubit, Xhavit Pacolli.
REAGIMI I PLOTË:
KFF EP Hajvalia mohon pretendimin për kurdisje të ndeshjeve.
Kjo veprim nga ana e skuadrës kundërshtare në prag të finales së madhe të Kupës së Kosovës, është vetëm shpifje nga ana e tyre.
Skuadra jonë asnjëherë nuk ka bërë kurdisje të ndeshjeve dhe kjo gjë është konfirmuar në rezultatet tona.
KFF EP Hajvalia do të përgatis një padi në drejtim të skuadrës për shpifje dhe prishje të imazhit të presidentit të skuadrës sonë, Xhavit Pacolli.
Ky veprim është i ulët nga ana e tyre, sidomos në kohën kur në jemi duke bërë përgatitjet për finalen e madhe që do të zhvillohet të mërkurën./Lajmi.net/