Njeriu që ndoshta i solli kthesën e madhe Interit në këto vite të fundit, duke e rikthyer te titulli, por edhe fare pranë një finaleje të Ligës së Kampioneve, është Xhuzepe Marota, i cili me merkaton nga stoli te skuadra ka sjellë ndryshimet që priteshin në Milano dhe në “Javën e futbollit” ka treguar ndjesitë e sezonit, por edhe disa prapaskena.
“Sezoni që kemi bërë deri tani ka qenë i mirë. Jemi në finalen e Kupës së Italisë dhe në lojë për finalen e Champions-it, prandaj meritojmë notën 7. Nëse do të kishim qenë dhe në luftë për titullin, do të meritonim 9 ose pse jo edhe 10. Gjithsesi, tani Interi duhet të jetë më i përqendruar se kurrë për sfidën e kthimit me Milanin, pasi eksperienca ime tregon shumë. Kur isha te Juvja mbaj mend ndeshjet me Realin në Champions, apo edhe atë me Atletikon e Madridit, kështu që më mirë që të martën t’i kemi sytë hapur.
Marrëdhënia me Steven Zhangun? Presidenti ynë është një dhelpër. Di t’i kapë shumë shpejt gjërat dhe mbi të gjitha dëgjon shumë dhe flet pak. Kjo është një cilësi prej lideri. Kë do të blija nëse do të kisha çek të bardhë? Sulmuesit e mëdhenj të japin shpesh trofetë e rëndësishëm dhe aktualisht do të shpenzoja vetëm për Halandin. E kisha në dorë kur isha pjesë e Juves, por gjatë rrugës ndryshuan disa gjëra”, deklaroi Marota.
PANORAMASPORT.AL