EP – Com Hajvalia dhe Mitrovica do të ndeshen nesër (17.00) në finale të Kupës së Kosovës në futboll (femrat).
Të dy ekipet janë mirë të përgatitura për finalen që luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Suad Keçi, kryetrajner i EP – Com Hajvalisë, shpreh optimizmin se trofeun do të çojnë në Hajvali.
Ai tha se skuadra e tij është e përgatitur në çdo aspekt dhe nuk kanë asnjë mungesë.
“Ne jemi përgatitur maksimalisht për finale, synojmë me u stolisur me dy tituj (Kupën dhe titullin e kampionit), pasi që vitin e kaluar e fituam titullin por jo edhe Kupën.
Synimi ynë është me pru Kupën në Hajvali, në vitrinat e këtij klubi”, tha Keçi për gaztën kombëtare “Bota sot”.
Keçi beson e shpreson se me një lojë të mirë dhe me pak me fat sportiv do të arrijnë deri të qëllimi që e kanë para vetes.
“Krejt lojtare janë të gatshme.
Nuk kemi mungesa.
Mendoj se me një lojë të mirë do të arrijmë qëllimin”, tha ai.
Çka e veçon Hajvalinë?
“E veçon se EP – Com është një ekip qe dy vjet po tregon lojëra të mira, ndërsa Mitrovica që pesë vite rresht e ka fituar Kupën.
Tani synojmë përveç titullit edhe Kupën ta dërgojmë në vitrinat tona”, ka përfunduar Keçi.