Interi është finalisti i parë i Ligës së Kampionëve për edicionin 2022/2023.
“Nerazzurrët” triumfuan 1:0 (3:0 rez. përgjithshëm) edhe në ndeshjen e dytë kundër Milanit në stadiumin “San Siro”.
Sulmuesi argjentinas, Lautaro Martinez realizoi golin e vetëm dhe të fitores për Interin në këtë përballje në minutën e 74-të.
Trajneri i Milanit, Pioli u shpreh i zhgënjyer pas eliminimit, ndërkohë që tha se Interi e meritoi plasmanin në finale.
“Lojtarët dhanë gjithçka. Interi e meritoi, por të flas për dëshirën nuk më duket e drejtë”, tha Pioli pas ndeshjes, njofton tuttomercatoweb, transmeton lajmi.net.
“Ne humbëm në 15 minutat e para të ndeshjes së parë. Arritëm këtu me meritë dhe shpresonim të arrinim në finale”.
“Jam shumë i zhgënjyer. Gjatë këtyre viteve do të kishte qenë diçka e veçantë dhe të mos ia dalësh është një zhgënjim. Një sezon më i komplikuar se sa pritej, por që na ka mësuar shumë”, deklaroi trajneri italian.
Për Interin kjo është finalja e parë e Ligës së Kampionëve pas 13 vjetësh dhe që nga viti 2010 kur edhe e fituan trofeun e çmuar.
Interi në finalen që do të luhet në Stamboll do të përballet me fituesin e takimit Manchester City – Real Madrid (1:1) që ndeshjen e dytë e luajnë të mërkurën (nesër) nga ora 21:00./Lajmi.net/