Tensionet në rritje mes presidentit të Napolit Aurelio De Laurentiis dhe trajnerit Luciano Spalletti janë bërë gjithnjë e më evidente ditët e fundit, dhe raportet në Itali pretendojnë se Rafa Benitez dhe Antonio Conte janë kandidatët kryesorë për të zëvendësuar trajnerin italian.
Sipas ‘Il Corriere della Sera’, kohëve të fundit ka pasur konflikte mes De Laurentiis dhe Spallettit, dhe si rezultat i kësaj e ardhmja e trajnerit që fitoi Scudetton këtë sezon është e paqartë, raporton lajmi.net.
Spalletti ka edhe një vit të mbetur në kontratën aktuale me Napolin, pasi që klubi menjëherë aktivizoi opsionin për zgjatje të kontratës në marrëveshjen e tij aktuale.
Sidoqoftë, 64 vjeçari kishte mbetur i habitur pasi që konfirmimi për zgjatje të kontratës erdhi përmes një mesazhi dhe jo në mënyrë verbale.
De Laurentiis gjithashtu nuk e thirri Spallettin për ta uruar atë që Napoli e fitoi titullin e Serie A në maj, gjë kjo që e ka lënë trajnerin italian të nevrikosur.
Edhe pse asgjë nuk është konfirmuar, “Corriere dello Sport” raporton se Spalletti do të largohet nga Napoli sido që të jetë./Lajmi.net/