Nuk ka lindur me top, por nuk i është ndarë që në moshë të vogël.
Adrion Pajaziti, i huazuar te Haugesung në Norvegji nga Fulham, rrëfehet në rubrikën e FSHF, “Talenti shqiptar”, duke treguar si nisi gjithçka për të e për të vijuar me ëndrrën e tij të madhe dhe shumë tema të tjera. Mesfushori, pjesë e Shqipërisë U21, beson shumë te potenciali i kombëtareve tona, ndërkohë që zbulon edhe më kë e krahasojnë dhe kush janë lojtarët që e motivojnë. Pajaziti nuk e harron debutimin me moshat kuqezi dhe thekson se të luajë me fanellën e kombëtares është një emocion i madh për të.
Adrion, si ka nisur për ju lidhja me futbollin? Kush është njeriu që ju ka shtyrë drejt këtij sporti?
– Që i vogël, siç më tregojnë prindërit, kam qenë gjithmonë me topin në duar e këmbë duke luajtur nëpër shtëpi. Poshtë banesës kemi pasur një fushë të vogël, ku luanim të gjithë fëmijët e lagjes. Pasi mbaroja mësim në shkollë, lija çantën në shtëpi dhe luaja aty deri kur errësohej dhe më thërriste mami. Kam shtyrë veten drejt këtij sporti, por edhe familja që më kanë regjistruar në klub futbolli.
Çfarë ju shtyn që të rriteni edhe më shumë në këtë profesion?
– E kam shumë pasion, e kam në gjak futbollin. E kam dashur futbollin shumë, që i vogël. Nuk kam dëshirë të humbas, dua të fitoj gjithmonë, të luaj mirë, të shënoj gola. Kjo më shtyn mua në këtë profesion, të bëj veten krenar, familjen, shokët, të gjithë ata që më kanë parë sa kam sakrifikuar për futbollin.
Kush është personi që ju këshillon më së shumti në lidhje me futbollin dhe që ju qëndron më afër?
– E gjithë familja më ka qëndruar pranë, babi, nëna, motra, që vinin më shikonin nëpër ndeshje. Kur babai punonte e unë isha i vogël atëherë, më çonte mami në ndeshje. Të gjithë më kanë qëndruar pranë, edhe motra. Pas ndeshjeve ata më këshillojnë dhe më tregojnë të vërtetën, a kam luajtur mirë dhe çfarë duhet të përmirësoj.
Si jeni ndjerë kur morët për herë të parë ftesën nga Shqipëria U21? Si jeni ndjerë kur keni shënuar golin e parë me fanellën kuqezi?
– Jam ndjerë shumë shumë i kënaqur, shumë krenar, kur kam luajtur herën e parë me Shqipërinë U21. Luajtëm në shtator në Kroaci, ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë. Kam shënuar menjeherë gol. Ishte ndjenjë e bukur, krenari, shumë emocion. Më pëlqen shumë kur luaj me kombëtaren./Lajmi.net/