Karl Hainz Rumenige nuk mund të qëndronte për një kohë të gjatë shumë larg Bajern Mynih. Ish-shefi ekzekutiv i bavarezëve, i cili i ka drejtuar në një nga periudhat më fitimtare të historisë së klubit, është përsëri pjesë e strukturave më të larta të tij.
Sot klubi ka bërë zyrtare përfshirjen e tij në Bordin e Mbikëqyrjes, i cili është ai që merr vendimet më të rëndësishme për bavarezët, përtej punës së shefit ekzekutiv apo drejtorit sportiv. Një bord i cili do të ketë një rol më të rëndësishëm duke pasur parasysh kaosin që ka përfshirë klubin, edhe pse e mbylli sezonin me titullin kampion.
Bavarezët shkarkuan Oliver Kahn dhe Hasan Salihamixhiç nga postet e tyre pak ditë para fitores së titullit dhe tashmë do të duhet që stafi i ri të jetë shumë më i kujdesshëm me zgjedhjet që bën. Ndaj është ftuar Rumenige që të bëhet pjesë e bordit, pasi në karrierën e tij te Bajern Mynih, ka qenë shumë i suksesshëm duke koleksionuar 14 tituj kampion, 10 Kupa të Gjermanisë dhe 2 Liga Kampionesh.
“Do të dëshiroja të falënderoja bordin për besimin e tyre dhe pres me padurim të mbështet Bajernin si pjesë e tij në të ardhmen. Kam qenë shumë me fat dhe i nderuar që të festoj shumë suksese me këtë klub, ndaj jam i lumtur që t’i përgjigjem pozitivisht ftesës së drejtuesve”, tha Rumenige i cili ishte larguar nga detyra e tij te Bajern Mynih në korrikun e vitit 2021.
PANORMASPORT.AL