Futbollisti, Albion Kurtaj edhe zyrtarisht e ka konfirmuar largimin nga skuadra e Llapit përmes një interviste me Lajmi.net
Kurtaj i cili u transferua te skuadra e Tahir Batatinës gjatë vitit të kaluar (2022) nga Ferizaj, i jep fund aventurës në Podujevë.
Përmes një interviste për Lajmi.net, Kurtaj u shpreh tejet i lumtur që ishte pjesë e Llapit, pavarësisht që klubi nuk i arriti objektivat për sezonin 2022/23.
“Te Llapi kam kaluar një sezon të mirë, pavarësisht se nuk i arritëm objektivat. Mua më dha rasti të punojë me një staf profesional, bashkëlojtarë dhe organizimi në skuadër ishte fantastik”, u shpreh futbollisti
24-vjeçari pas transferimit te Llapi iu dha mundësia të luante edhe në garat e UEFA-s, ku kishte shënuar një gol kundër Buducnostit.
“Natyrisht që ndeshjet në Europë janë ato që kujtohen gjithmonë, sidomos kur shënon gol. Kur luan ndeshje të tilla, e sheh se sa shumë dëshiron me arrit sukses, që t’i shijosh ato ndjehsi gjithmonë”, vazhdoi tutje Kurtaj
Lojtari anësor tashmë ka kohë të vendos për të ardhmen dhe të pres oferta nga skuadra të ndryshme. E ardhmja e tij ende nuk është vendosur.
“Të ardhmes ende nuk i dihet, kam kohë për të menduar të vendos më të mirën për vetën time. E shohim se çfarë do të ndodh”, përfundoi lojtari për Lajmi.net
Albion Kurtaj gjatë këtij sezoni me Llapin në Superligën e Kosovës zhvilloi 32 paraqitje (jo të gjitha si startues), shënoi një gol dhe bëri dy asiste. Vlera e tij momentale në sajtin e njohur “Transfermarkt” shkon deri në 50 mijë euro./Lajmi.net/