Përmirësimet janë të dukshme, skuadra ka nisur që të marrë formën e duhur dhe pa dyshim që me përforcimet e duhura në merkaton e verës, cilësia mund të rritet në ato nivele për të synuar edhe titullin kampion.
Mançester Junajtid ndërkohë gjithsesi mund të provojë që të nisë ngjitjen dhe rikthimin në fronin anglez duke tentuar që të fitojë kupën “FA”, një objektiv për të cilin trajneri holandez, Erik ten Hag, është shumë i qartë.
“Ndoshta disa prej lojtarëve të mi e ndjejnë si tifozë rivalitetin me Sitin (i referohet deklaratës së Bruno Fernandeshit që shprehu se kërkon t’i mohojë tripletën Sitit). Por kjo është një finale dhe ajo që mua më intereson nuk është që të ndal makinerinë Siti, por të sjellë një trofe në shtëpi për ne dhe për tifozët. Mbi të gjitha, një trofe do të ishte përgjigja e duhur e progreseve që kemi bëra nga fillimi i sezonit. Duam që në fund të mos kujtojmë vetëm shijen e të qenit të tretët në Premier Ligë, por të jemi fituesit e ‘FA Cup’ dhe ta mbyllim të lumtur dhe me festë këtë sezon. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë asgjë për vazhdimësinë, pasi sezonin e ardhshëm do ta nisim sërish nga zero dhe duhet të bëjmë shumë herë më shumë sesa kemi treguar sivjet”.
Lidhur me lajmet se sulmuesi Vut Veghorst mund të rikthehet te Bërnlej pas huazimit, trajneri Ten Hag nuk zhbalancohet.
“Unë nuk jam ende në dijeni të planeve të merkatos që kemi së bashku me drejtuesit e klubit. Për momentin jam i përqendruar vetëm te ndeshja me Mançester Sitin dhe kaq. Ajo që di është se Veghorst ka dhënë kontributin e tij sa herë që i është kërkuar dhe mendoj se ka ndihmuar në arritjet tona”.
Në fund, i pyetur nëse kjo është ndeshja më e rëndësishme e karrierës së tij, trajneri i Mançester Junajtid përgjigjet: “Nuk di ta them këtë. Ndoshta do të varet nga përfundimi i saj. Unë kam luajtur shumë ndeshje në karrierë si trajner, por sigurisht që për nivelin mund të themi se do të jetë fantastike. Do të kemi përballë një kundërshtar të mrekullueshëm, por e bukura e futbollit është fitorja, kërkimi i rezultatit. Të kërkosh të fitosh çdo ndeshje që luan dhe për çdo trofe që luan”, përfundoi Erik ten Hag.
PANORAMASPORT.AL