Tifozët e Romës mund të jenë të kënaqur kur dëgjojnë raporte nga Franca se PSG nuk dëshiron ta angazhojë Jose Mourinhonn si trajner, duke e kthyer fokusin e tyre drejt Julian Nagelsmann.
Ka pasur sugjerime gjatë javëve të fundit se Mourinho ishte zgjedhja e parë për drejtorin e Paris Saint-Germain, Luis Campos.
Megjithatë, tani gazeta franceze “L’Equipe”, pretendon se pronarët e klubit në Katar nuk janë të bindur nga ideja dhe i kanë thënë Camposit të ndërpresë çdo negociatë me portugezin.
Disa nga raportet shkojnë edhe më tej, duke pretenduar se shefat e klubit besojnë se Mourinho është trajner i modës së vjetër dhe nuk është në harmoni me futbollin modern, përcjellë lajmi.net.
Sjellja e tij pas finales së Ligës së Evropës kundër Sevillas, ku u akuzua nga UEFA për përdorimin e gjuhës fyese ndaj gjyqtarit Anthony Taylor, sigurisht që nuk i ndihmoi kauzës së tij.
Në vend të kësaj, PSG-ja po shkon drejt Nagelsmann, i cili u shkarkua nga Bayern Munich dhe ishte lidhur me Napolin, por paga e tij ishte shumë e lartë për italianët./Lajmi.net/