Nuk ka kaluar shumë kohë që kur togfjalëshi “InzagiOut” (Inzagi jashtë) ishte kryefjala e tifozëve zikaltër, ndërsa sot trajneri i Interit është kthyer në idhullin e tifozërisë së tij.
Dy muajt e fundit të Interit kanë qenë fantastikë, me skuadrën që realizoi të gjithë objektivat: kualifikimin për në edicionin e ardhshëm të Champions League, triumfin në Kupën e Italisë dhe finalen e Champions League. Me këtë të fundit që mund t’i vërë vulën një sezoni që nuk nisi aspak në mënyrën e duhur, Simone Inzagi ka fituar jo vetëm dashurinë e zikaltërve dhe vlerësimin e kryesisë dhe presidentit Zhang, por edhe rinovimin. Në fakt nuk kanë qenë vetëm rezultatet ato që kanë bindur drejtuesit dhe presidentin të konfirmojnë trajnerin, por mbi të gjitha aftësia e tij për të menaxhuar momentet kritike të sezonit dhe qetësia me të cilën ka përballuar kritikat. Pas deklaratave që Inzagi do të jetë në stol edhe në sezonin e ardhshëm, tashmë gjërat priten të bëhen zyrtare. Pas finales së Stambollit dhe deri në grumbullimin e skuadrës për fazën përgatitore, pra brenda një afati kohor njëmujor, pritet të vijë edhe firma e trajnerit që do të rinovojë deri në 2025-ën, me një rrogë prej 6 milionë eurosh në sezon.
DEKLARATA E INZAGIT Pavarësisht rinovimeve të shumta që priten në shtëpinë e Interit, tashmë gjithë vëmendja është përqendruar në finalen e Stambollit. Për “UEFA.com” Simone Inzagi ka përshkruar rrugëtimin e zikaltërve dhe ka analizuar kundërshtarët.
SEZONI “Sezoni i deritanishëm mund të përshkruhet si i jashtëzakonshëm, sepse arritëm në një finale që të gjithë e kishim ëndërruar dhe e bëmë me shumë stil. Një fjalë tjetër që do të përdorja është ‘së bashku’, sepse së bashku me klubin tonë, me fansat tanë, ne bëmë diçka që mendonim se ishte e paarritshme. Por të gjithë së bashku kemi treguar se mund të arrihet gjithçka. Tani duhet të kurorëzojmë gjithçka që kemi bërë me këtë finale, e cila do të jetë emocionuese për t’u parë”.
FINALJA “Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Shanset nuk janë në favorin tonë, por kjo është ajo që e bën futbollin kaq emocionues. Po luajmë kundër një prej skuadrave më të forta në botë, me një trajner që të gjithë e njohim mirë, por do të përpiqemi të jemi gati. Qasja jonë nuk do të ndryshojë. Do të ketë momente gjatë lojës ku do të duhet të jemi më sulmues dhe të tjera ku do të duhet të jemi të fortë në mbrojtje. Na ka mbetur edhe pak kohë për t’u përgatitur dhe po marrim parasysh çdo detaj”.
GUARDIOLA “Ai ka krijuar një lëvizje të re me mënyrën e tij të qasjes ndaj futbollit dhe stilit të tij të lojës, që nis që nga koha e tij në Barcelonë. Është përmirësuar ditaditës, kështu që për mendimin tim është e drejtë që ai konsiderohet një nga trajnerët më të mirë në botë. Mançester Siti nuk ka asnjë të metë në organizim. Është një skuadër që ka individë të mrekullueshëm, por që megjithatë luan gjithmonë si ekip”.
LAUTARO “Është pa dyshim një lider. Ai është ende shumë i ri, por sapo është bërë kampion bote dhe tashmë ka fituar shumë trofe këtu tek Interi. Përveçse një djalë shumë i mirë, ai ka një ndjenjë të fortë përkatësie. Nuk e pranon idenë e humbjes dhe kjo e bën atë një lider të jashtëzakonshëm”.
NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL