Vllaznia ka zgjedhur Migen Memellin si trajnerin e saj të ri. Tekniku është prezantuar nga klubi shkodran, ndërsa do të nisë menjëherë punën me skuadrën që në verë do të jetë e impenjuar në turin eliminator të Ligës së Konferencës.
Memelli kthehet në një pankinë të Superligës, pas aventurës së fundit në Kategorinë e Parë me Skënderbeun. Ai u largua nga skuadra korçare në mesin e sezonit të shkuar.
Memelli nuk ka dashur të flasë për objektiva, megjithëse është i qartë për rrugën që duhet të ndjekë. Në krah të Memellit në drejtimin e Vllaznisë do të jetë në rolin e zëvendëstrajnerit ish-sulmuesi, Ndriçim Shtubina.
“Dua të falënderoj klubin, njerëzit që e përfaqësojnë, presidentin dhe drejtorin Plori që më besuan detyrën e trajnerit. E di që është punë shumë e vështirë të jesh trajneri i Vllaznisë, më është ngarkuar një përgjegjësi shumë e madhe. Nisur nga ky fakt dua të shtoj, që pa dashur të futem më thellë, po i bie shkurt, e fundit është që do të mundohem në bindjen time të jem një njeri i ndershëm e sa më punëtor për objektivat e Vllaznisë.
“Objektivat? Së pari është formimi i skuadrës, të formojmë një skuadër sa më konkurruese. Pastaj është të hedhim hapa të vegjël dhe të sigurt. Ajo që na bind dhe është detyrë, është që nga nesër të fillojmë përzgjedhjen për të ndërtuar një skuadër sa më kompetitive për qytetin, tifozët e klubit. Shkodra meriton një skuadër kompetitive, një ekip që ka dëshirë për të ecur përpara. Në katër vitet e fundit Vllaznia ka fituar Kupën dhe është përfaqësuar në Europë, në sajë të kësaj vazhdimësie na bie për detyrë të bëjmë të njëjtën gjë”, tha trajneri i ri i Vllaznisë./ h.ll/abcnews.al