Pas shkarkimit të Paolo Maldinit, Milani ka njoftuar gjithashtu largimin e drejtorit sportiv Frederic Massara në një deklaratë jashtëzakonisht të shkurtër, me lidhje tashmë me Romën dhe Juventusin.
“AC Milan njofton se Frederic Massara përfundon rolin e tij në klub.
“Klubi falënderon Rickin për kontributin e tij në rritjen e AC Milan gjatë qëndrimit të tij me ne.”, thuhej në komunikatën e klubit, përcjellë lajmi.net.
Massara, i njohur për shumicën si Ricky, ishte krahu i djathtë i Maldinit në strategjinë e transferimit të Milanit dhe ata shpesh ishin ulur së bashku kur prezantonin një nënshkrim të ri ose zgjatje kontrate.
Ndryshe nga shkarkimi i ikonës së klubit, Maldini, raportohet se Massara ka negociuar një ndërprerje të kontratës me pëlqim të dyanshëm, për këtë arsye nuk u njoftua deri pasditen e sotme.
Ai ishte në klub që nga korriku i vitit 2019 dhe kishte kontratë deri në qershor 2024.
Para kësaj eksperience, Massara ka qenë drejtor në Palermo, më pas nga viti 2011 deri në 2019 ka pasur role të ndryshme te Roma.
Ai ka qenë i lidhur me një rikthim te ‘Giallorossi’, megjithëse Juventusi është gjithashtu i interesuar në kërkimin e tyre për një drejtor të ri sportiv, pasi Napoli duket se nuk dëshiron të lirojë Cristiano Giuntolin./Lajmi.net/