Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar sot një ndeshje kontrolluese me lojtarët e grumbulluar, e cila ishte në kuadër të përgatitjeve për ciklin kualifikues drejt Evropianit Euro 2024.
Kjo ndeshje kontrolluese i shërbeu kombëtares shqiptare që të përgatitet sa më mirë për dy ndeshjet e radhës ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.
Ndeshja kontrolluese u zhvillua në stadiumin “Elbasan Arena”, ku trajneri Sylvinho i ndau lojtarët e grumbulluar në dy skuadra.
Të pranishëm ishin 24 lojtarët e grumbulluar, ndërsa për ta plotësuar grupin stafi teknik morri në këtë ndeshje edhe disa lojtarë nga Kombëtarja U19, e cila ka nisur stërvitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Kosovës.
Stafi teknik ishte tejet i kënaqur me atë që pa nga kjo ndeshje kontrolluese, ndërsa i gjithë grupi u stërvit normalisht dhe asnjë lojtar nuk kishte probleme fizike.
Shqipërisë nga grumbullimi i 26 lojtarëve i mungojnë vetëm Jasir Asani dhe Kristjan Asllani, të cilët janë ende të angazhuar me ekipet e tyre, ndërsa priten t’i bashkohej kuqezinjve të hënën.