Milanistë dhe jo vetëm, vijojnë të rreshtohen krah Paolo Maldinit në lidhje me shkarkimin që iu bë të hënën e kaluar.
I fundit në listë, por me siguri jo në rend kohor, është Leonardo. Braziliani ishte ai që e rikthye te kuqezinjtë e që me largimin te PSGja i besoi fatet e sektorit teknik dhe nuk ngurron të shpalosë mendimet e tij siç ka bërë në intervistën për “Corriere della Sera”.
Çfarë përshtypje ju ka lënë shkarkimi i Maldinit?
Jam dakord me Ançelotin që e cilësoi mungesë kulture e respekti ndaj vlerave të sportit. Për milanistët është një mungesë respekti ndaj vetes, sepse Maldini është i Milanit. Ky vendim i Kardinales shkakton mosdashuri.
Si ish-lojtar, ish-trajner dhe ish-drejtues i klubit, cili ishte mendimi i parë?
U shtanga e jo vetëm unë, por e gjithë bota e futbollit. Mënyra dhe arsyet janë të pakuptimta. Në dy vitet e fundit Milani ka fituar një titull dhe ka arritur në gjysmëfinalet e Champions-it. Prej një dekade klubi ka pasur bilance negative dhe sivjet do të jetë i pari pozitiv pa harruar që vlera e aksioneve është katërfishuar që nga koha kur e blenë kinezët. Paolo nuk ka asnjë faj.
Edhe lojtarët nuk e kanë mirëpritur vendimin?
Më se normale. Ka lojtarë, si Tonali, që rritjen e tyre e kanë mbështetur në raportin me Maldinin. Po ashtu edhe Leao e shumë të tjerë. Reagimet e tyre në rrjete sociale janë dëshmi e kësaj që po them dhe është normale që skuadra të jetë e çorientuar e të ngrejë pyetjen: Nëse ia bënë Maldinit, po mua çfarë mund të më bëjnë?
Skaroni tha se Maldini kishte vështirësi të punonte në grup?
Si mund të mos dijë të punojë në grup një njeri që gjatë gjithë karrierës e ka bërë këtë me skuadrën e duke shfaqur gjithmonë përulësi. Ajo e Skaronit ishte një tjetër fjali absurde e dëgjuar së fundmi.
Ku mendoni se ka gabuar Paolo?
Për sa kohë isha unë te Milani nuk kishte të drejtë firme. Nuk zgjohej në mëngjes dhe blinte ndonjë lojtar pa miratimin e askujt. Blerjet dhe huazimet që bënim ishin prodhim i një vendimi të marrë në grup.
Thuhet se po paguan për këmbënguljen mbi De Ketelaren…
Është një lojtar 21-vjeçar dhe blerja është bërë me miratimin e klubit, siç ka ndodhur edhe për Leaon, Teon, Menjanë e këdo tjetër.
Si mund të ndryshojë merkatoja me afrime lojtarësh të cilëve u studiohen statistikat?
Kjo është “moda” e re, megjithatë nuk është risi. Është një metodologji që përdoret prej kohësh. Edhe nga Milani, madje që kur isha unë në klub.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL