Kombëtarja e Kosovës nuk ka arritur më shumë se një barazim me Rumaninë, në takimin e vlefshëm për kualifikimet për Kampionatin Evropian 2024.
“Dardanët” barazuan pa gola 0:0 me Rumaninë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të Grupit I, shkruan lajmi.net.
Pas përfundimit të ndeshjes, kapiteni Amir Rrahmani tregoi se çka i mungoi Kosovës.
“Na mungoi goli. Pasimi i fundit ose gjuajtja e fundit. Do ta mbyllnim ndeshjen me fitore. Ishte shumë vështirë. Kemi dhënë maksimumin. Kemi pritur se do të jetë fusha e keqe, por jo kaq shumë”, deklaroi Rrahmani.
“Nuk shkonte topi. Kemi bërë maksimumin dhe kemi mundur ta fitojmë ndeshjen. Po të kishim fat tani do të ishim me nëntë pikë. Kishim probleme me fushën edhe me Andorrën. Ndoshta fusha duket e mirë, por është shumë e keqe. Nuk mund të shprehet kualiteti në këtë fushë”.
“Jemi të dëshpëruar, por nuk jemi dorëzuar. Ka shumë ndeshje që duhet t’i luajmë. Shpresojmë të mos na penalizojë të paktën fusha. Rezultatet nuk janë në përputhje me atë që po shfaqim”, ka thënë Rrahmani.
Kësisoj, Kosova pas tri ndeshjeve në grup ka grumbulluar vetëm tri pikë dhe zë vendin e tretë.
Rumania me këtë pikë vazhdon të jetë në pozitën e dytë me shtatë pikë, ndërkohë lidere është Zvicra me nëntë pikë nga tri takimet.
Kosova tri ditë më vonë luan në Budapest kundër Bjellorusisë./Lajmi.net/