Markus Rashford do të bëhet lojtari më i paguar i Mançester Junajtidit sapo të nënshkruajë kontratën e re në “Old Trafford. “The Sun” zbuloi javën e kaluar se “djajtë e kuq” po planifikojnë një shkëmbim pagash, me rrogën e Rashfordit, e cila është gati të dyfishohet pasi ajo e David de Geas është pothuajse përgjysmuar në kontratën e re që portieri spanjoll pritet të firmosë.
Ky ndryshim në pagë do ta bënte menjëherë sulmuesin 25-vjeçar, përfituesin më të madh në skuadrën e Erik ten Hagut me 375.000 paund në javë. Anglezi do të paguhet me 25.000 mbi Kasemiron dhe Xhejdën Sançon dhe 35.000 paund më shumë se Rafael Varan, të vetmit yje të tjerë në “Teatrin e Ëndrrave” që kalojnë shifrën e 300.000 paundëve në javë.
Antoni Marsial dhe Bruno Fernandesh fitojnë respektivisht 250 mijë dhe 240 mijë paund, me të gjithë lojtarët e tjerë të Junajtidit në këtë shifër ose nën 200 mijë paund. Rritja e pagës së Rashfordit do të bënte që sulmuesi i akademisë të arkëtonte 8.4 milionë paund më shumë gjatë 5 sezoneve me Junajtidin, kontratë, e cila ka edhe klauzolën e rinovimit për 12 muaj të tjerë.
Burimet pranë lojtarit sigurojnë se ai e sheh të ardhmen e tij në “Old Trafford” dhe Ten Hag ka qenë gjithmonë i bindur se një marrëveshje do të arrihet. Ai vjen pas një sezoni spektakolar, ku shënoi 30 gola dhe dha 11 asiste në 56 paraqitje për klubin gjatë 2022-‘23. Por lajmi i mirë për Rashfordin është një i keq për De Gean.
Paga e 32- vjeçarit, i cili mund ta gjejë veten si numri 2 i portës në fillimin e sezonit të ardhshëm, do të zbresë ndjeshëm në tabelën e rrogave. Me një pagë prej 200 mijë paundësh në javë nga 375 mijë, ai do të zbresë në vendin e shtatë, së bashku me sulmuesin Antoni.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL