Milani do të tentojë të paktën dy blerje të rëndësishme për mesfushën. Kalimi te Milani i Ruben Loftus-Çikut, i kontaktuar tashmë nga “djalli” në fazën e parë të merkatos, me Paolo Maldinin dhe Frederik Masaranë ende në komandë të operacioneve, është vërtet shumë afër. Anglezi, i cili u rrit në Akademinë e Çelsit, ka veshur edhe fanellat e Fulhamit dhe Kristal Palasit, ndërkohë që kontrata e tij me “blutë” do të skadojë më 30 qershor 2024.
Për këtë arsye, mund të largohet për 15 milionë euro, një shifër që kuqezinjtë do ta paguajnë në orët në vijim duke realizuar goditjen e parë për këtë verë. Ndërkohë, siç raportohet nga redaksia e “Tuttomercatoweb”, Tijani Reijnders tashmë e ka mirëpritur transferimin në Milano, duke vlerësuar destinacionin kuqezi si hapin e radhës në karrierën e tij.
Tani do t’i mbetet Milanit të gjejë një marrëveshje me Alkmarin për t’ia dhënë lojtarin Stefano Piolit, i cili nga ana e tij tashmë do t’i kishte dhënë dritën jeshile operacionit. 24-vjeçari holandez kishte statistikat më të mira në rolin e tij gjatë sezonit të fundit.
Kosto e operacionit duhet të prekë 15-17 milionë euro, një shifër në dukje e padiskutueshme, duke qenë se futbollisti ka një kontratë deri më 20 qershor të vitit 2027.
PAGESË SHTESË – Arda Gyler pritet gjithashtu të zbarkojë te Milani. Drejtuesit kanë rënë dakord të derdhin 22 milionë euro në arkat e Fenerbahçes.
Shifra e kalon me 4.5 milionë euro klauzolën, por kuqezinjtë dëshirojnë të mbyllin akordin duke mposhtur konkurrencën e Barcelonës dhe Realit, që gjithashtu e dëshirojnë 18-vjeçarin turk, i cili nga ana e tij i ka bërë të qartë klubit të origjinës se dëshiron shitjen.
EMRAT E TJERË – Siç raportohet nga redaksia e “Sportmediaset”, Milani vijon të jetë në kërkim të mesfushorëve. Emri më i ri në listë është ai i Sofian Amrabatit të Fiorentinës.
Pas shitjes së Sandro Tonalit te Njukasëlli (zyrtarizimi pritet brenda disa ditësh) ekipi ka nevojë për një mesfushor të ri dhe, për rrjedhojë, do të kishte përfunduar në gjurmët e 26-vjeçarit.
Maroken me kombësi, por nën zotërim të një pasaportë holandeze, ai do të ishte një goditje e matur, pasi ka përvojë në Serinë A dhe ndërkombëtaret duke qenë se është titullar i paprekshëm i Marokus.
Problem për kuqezinjtë do të jenë bisedimet me Roko Komison, i cili kërkon 30 milionë euro, pavarësisht se kontrata e Amrabatit skadon pas një viti.
Kuqezinjtë vijojnë të testojnë tregun e futbollistëve, por pavarësisht emrave që pritet të mbërrijnë në Milanon kuqezi, duket se i pari do të jetë jo shumë i njohur, Luka Romero. I lindur në vitin 2004, atij sapo i ka skaduar kontrata me Lacion dhe është i lirë të firmosë me këdo që dëshiron.
Për të interesohen Interi dhe Fiorentina, por Milani e ka fituar garën me konkurrencën duke i premtuar djaloshit të paktën 800 mijë euro në sezon për katër vitet e ardhshme.
Përgatiti: REINOLD BAKALL – PANORAMASPORT.AL