Kombëtarja e Gjermanisë po kalon momentin më të errët në historinë e saj nën urdhrat e teknikut Hansi Flik.
Në 10 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet ku ata kanë shkelur, numërojnë 3 fitore dhe të njëjtën kuotë barazimesh, ndërsa humbjet mbizotërojnë me 4 të tilla, pa anashkaluar faktin se në dy takimet e fundit nuk e kanë nuhatur golin. Edhe pse pjesa më e madhe ka qenë në vigjilje të testeve miqësore, temperamenti në lojën e “pancerave” ka lënë shumë për të dëshiruar, aq sa edhe Toni Kros të dorëzohet rreth triumfit të mundshëm në turneun e ardhshëm madhor, “Euro 2024”, i cili për fatin e mirë apo të keq do të zhvillohet në shtëpinë e tifozëve gjermanë, pasi fundi i kompeticionit dhe evoluimi i kontingjentit në “timonin” e Flikut do të japë version final të tablosë.
Ish-”regjisori” i Bajernit në periudhën 2007-2014 i ka “vrarë” shpresat me arsyetimin se në radhët e kampionëve të 4-fishtë në Botërore i mungon mentaliteti fitues dhe besimi në lojë. Njëkohësisht duke i mbyllur njëherë e mirë dyert e inkuadrimit me ngjyrat e përfaqësueses në të ardhmen.
KRITIKAT E KROSIT- ”Të jem realist nuk është se kjo panoramë u krijua së fundmi. Ajo ka pasur rrënjë që prej viteve pararendëse dhe tashmë po përkeqësohet me ritëm të shpejtë. I kam parë djemtë në këto teste dhe më vjen keq ta pohoj, por në të mungon fryma e besimit dhe mentalitetit fitues. Thuajse në të gjitha sfidat, kemi të njëjtat lëvizje, ritëm, organizim. Pra, të zakonshëm dhe aspak dinamikë në krijimin e një grupi të palexueshëm dhe tepër të vrullshëm për aq kohë sa kanë topin në kontroll. Totalisht jashtë formës dhe është më se e dukshme mungesa e personazheve me influencë në gjirin e tyre për t’i tërhequr nga kjo vorbull ku janë përfshirë.
Gati e pamundur të imagjinoj se organizatorët do ta mbajnë kupën në shtëpi në ‘Euro 2024’, gjithmonë në bazë të asaj çka kemi vështruar deri në këtë pikë. Ndërsa mbi mundësinë e rikthimit, i qëndroj besnik qasjes së parashtruar përpara disa muajsh, jo faleminderit, pasi e di se nuk ka për të funksionuar”, përfundoi me nota të larta bindëse 33-vjeçari në podkastin “Baywatch Berlin”.
Lamtumira me “pancerat” nga ana e Toni Krosit erdhi pas eliminimit të beftë nga faza e grupeve në “Euro 2020”, e cila shërbeu si pika e krisjes në idetë e futbollistit me numër 8 në “Santiago Bernabeu” rreth vazhdimësisë te kombëtarja.
SAIMIR MBËRSI-PANORAMASPORT.AL