Andre Onana mund të bëhet lojtar i Mançester Junajtidit të premten. Drejtori sportiv i Interit, Piero Auzilio dhe homologu i tij anglez Dejvid Harrison kanë pasur dje një takim në Ibiza për të parashtruar kushtet e operacionit. Klima mes të dyja palëve është e qetë dhe deri nesër pritet edhe një tjetër takim mes të dy përfaqësuesve të klubeve dhe atyre të vetë portierit kamerunas.
“Djajtë e kuq”, që janë tërhequr nga rinovimi me David de Gean, duan ta mbyllin sa më shpejt transferimin, kjo edhe si pasojë e kërkesës së trajnerit të tyre, Erik ten Hag, që kërkon ta ketë me vete kamerunasin në fazën e tyre përgatitore në SHBA. Tekniku e ka stërvitur tek Ajaksi 27-vjeçarin dhe i njeh mirë aftësitë e tij, arsye për të cilën anglezët janë gati të paguajnë 60 milionë euro, përfshirë dhe bonuset për portierin.
TRUBIN – Ka një sërë emrash në listën e pasardhësve të mundshëm të Andre Onanës. Pas portierit të Valencias, gjeorgjianit Mamardashvili, renditen edhe emra me një përvojë të madhe në futbollin europian, si Zomer, Loris dhe Kejlor Navas, por i fundit në skenë është numri një i Shkahtar Donetskut dhe Ukrainës, Anatoli Trubin.
Ai sigurisht që nuk ka në krah eksperiencën e të sipërpërmendurve, por ka një fizik mbresëlënës (199 centimetra) dhe pavarësisht se më 1 gusht do të mbushë 22 vjeç, tashmë ka një përvojë të mirë ndërkombëtare, me kombëtaren, me të cilën aktivizohet që nga marsi, por edhe me klubin, pasi numëron 17 ndeshje në Champions dhe 8 në Europa League.
Me një kontratë që skadon në 2024-ën, Trubin kërkon një tjetër aventurë në një skuadër të madhe dhe nuk pritet të rinovojë, edhe pse Shkahtari ka refuzuar ofertën fillestare të Udinezes për 6 milionë euro. Trubin u bë kryefjalë e lajmeve në Europa League-n e fundit kur kundër Renit u garantoi shokëve të tij kualifikimin për në fazën e 1/8-ave duke pritur tri penallti kundër francezëve, pasi shkroi karakteristikat e gjuajtësve kundërshtarë në etiketën e një shishe uji që kishte me vete te porta.
PANORAMASPORT.AL