Pronari i Inter Majamit, Horge Mas, që bëri të mundur firmën me Lionel Mesin, ka dhënë një intervistë për gazetën spanjolle “El País”.
Në të ai ka folur për ndikimin e ardhjes së yllit argjentinas në kampionatin profesionist në SHBA, “MLS League” dhe të gjitha detajet e nënshkrimit të tij. Ai foli dhe për firmën me ishkapitenin e Barcelonës, Serxhio Buskets, dhe nënshkrimeve të tjera të mundshme. Gjatë bisedës Mas rrëfeu se është tifoz i Realit të Madridit, një dashuri që tani e ndan me Inter Majamin dhe me Saragozën, president i së cilës është.
Miliarderi me origjinë kubaneze shpjegoi se kontrata e Mesit do të jetë “midis 50 dhe 60 milionë euro në vit”, shumë më pak se sa i ishte ofruar në Arabinë Saudite. Mas ka treguar se Mesi do të ketë aksione në klub kur të tërhiqet dhe një pjesë të fitimeve nga transmetimi global, të drejtat e të cilit janë nga “Apple TV”, si dhe nga shitja e kompletit “Adidas”. Mas ka treguar se ideja për të sjellë Mesin në SHBA nuk ishte kështu “last minute”, por po gatuhej prej vitesh.
“Në vitin 2019 filluam të mendojmë se si mund ta sjellim Mesin në Majami, një qytet global, në rritje. Ne duam që njerëzit kur mendojnë për futbollin në Shtetet e Bashkuara, të mendojnë për Majamin. Mesi mund ta kthejë ligën amerikane në një nga dy ose tre ligat më të mëdha në botë”, tha Horge Mas.
Përveç kësaj bosi i Inter Majamit, deklaroi se “ka një element shumë të rëndësishëm që ka ndikuar në vendimin e Mesit, familja. Për mua ishte e rëndësishme t’i shisja Leos idenë e futbollit në SHBA. Ky është tregu më i madh komercial në planet. Në historinë e sportit ka dy ngjarje këtu: ardhja e Pele te Nju Jork Kozmos dhe Devid Bekam te Los Anxhelos në vitin 2007. Tani vjen Mesi që do ta ngrejë ligën në një nivel tjetër”.
LEDJO SEFERKOLLI- PANORAMASPORT.AL