Pasi prezantoi Markus Turam, Interi ka bërë një tjetër afrim dhe tashmë bëhet fjalë për një mbrojtës. Zikaltërit kanë arritur të sigurojnë shërbimet e Jan Aurel Bisek i cili aktivizohet në kampionatin danez me skuadrën e Arhus.
Ka qenë vetë klubi danez që ka njoftuar se ka pasur bisedime me Interin për shërbimet e mbrojtësit 22-vjeçar dhe klubi zikaltër ka paguar klauzolën e largimit e cila është 52 milionë kroner danez, ose e thënë ndryshe 7 milionë euro. Bisek luan si qendërmbrojtës dhe këtë sezon ka bërë 35 paraqitje mes Kupës e kampionatit, duke shënuar 5 gola dhe 3 asiste.
Bisek ka luajtur në të kaluarën e tij edhe në Gjermani me Këlnin, në Holandë e në Portugali ndërkohë që në Itali do të jetë aventura e tij e parë. Interi pak ditë më parë njoftoi zyrtarisht largimin e Skriniar dhe në këtë mënyrë, për Bisek lirohet një vend.
PANORAMASPORT.AL