Verën e kaluar, gjatë pushimeve siciliane, u deshën karabinierët për ta nxjerrë nga dyqanet dhe për ta çliruar nga rrethimi i tifozëve të Milanit, të cilët këndonin mirënjohës: “Pioli në zjarr!”. Këtë verë, pas një kalimi në Maldive, Stefano Pioli ka zgjedhur diellin e Kretës, në një vend shumë privat.
Thuhet se ka takuar shumë pak njerëz dhe duke e ditur natyrën e tij, ndoshta këtë vit e ka shijuar shumë më tepër, edhe pse pa një titull. Një verë shumë metaforike, nëse doni. Aq shumë heshtje përreth, pasi Maldini, Masara, Ibrahimoviç, Tonali u zhdukën… Në Kretë, në labirintin e Knosos, në përpjekje për të zgjidhur enigmën taktike të Milanit që do të vijë. Dhe nga Kreta në Forte dei Marmi, ku Galiani ishte dikur epiqendra e merkatos së Milanit dhe ku sot Karnevali, drejtor sportiv i Sasuolos, i përgjigjet kërkesave për Fratezin, që Pioli e pëlqen shumë. Pas një jave, trajneri kuqezi do të fillojë të formësojë krijesën e re. Ndoshta fillon sezoni më i komplikuar i karrierës së tij, por edhe më intriguesi.
ME ERËN KUNDËR – Humbja e dy flamujve (Maldini, Tonali) me çmimin e njërit nuk dukej si një ofertë speciale për tifozët e “djallit”. Pioli e di se do t’i duhet të pedalojë kundër kësaj ere zhgënjimi që në metrat e parë. Ai gjithashtu e di se, në rrjetet sociale, dikush e qortoi për solidaritet të vakët në kohën e silurimit të Maldinit dhe Masarasë, të cilët nuk e patën problem këtë qëndrim dhe iu bashkuan në Versilia për të mbyllur marrëdhënien profesionale me një drekë jo më pak të përzemërt se të mëparshmet. Marrëdhënie personale duken të pacënuara. Por përtej ankesave dixhitale, pjesa më e madhe e botës milaniste nuk harron meritat e trajnerit për një titulli që pritej prej 11 vitesh dhe një gjysmëfinale të Champions-it që mungonin prej 16 vitesh. Titulli 2021-’22 i përket Piolit më shumë se çdokujt tjetër. Ai projektoi ekipin, e pajisi atë me një lojë cilësore, e mbushi me kurajë, krijoi një ndjeshmëri grupore, që më vonë doli të ishte vendimtare, si në rastin kur nuk e lëshoi edhe pse të gjithë flisnin për një rokadë me Rangnikun. Në mes edhe disa rritje vendimtare talentesh si Leao apo Tonali.
MË SHUMË PËRGJEGJËSI – Megjithatë, në momentin e konfuzionit maksimal, Ibra gozhdoi CEO Gazidis para skuadrës: “Duhet të na tregoni se çfarë e ardhmeje na pret. A duhet të rinovojmë qiratë e shtëpive?”. Ibra ndihmoi Leaon dhe Tonalin të krijonin një shpirt të fortë. Maldini dhe Masara, me një buxhet të vogël, kanë identifikuar profile të denjë për trofe. Pioli, Maldini dhe Mssara, në momentet më kritike, në boshllëqet në pronësi, ishin një trup i vetëm. Ata ishin Milani. Maldini, Masara dhe Ibra nuk do të jenë në “Milanello” të hënën e ardhshme duke privuar trajnerin nga një lloj “parashute” për momentet e vështira. Nuk do të thotë se rreth Piolit do të ketë një boshllëk si ai i Kretës. Ndjenja mes trajnerit dhe drejtorit ekzekutiv, Xhorxho Furlani, për shembull, është shumë e mirë.
Xherri Kardinale, pronari i klubit, ka vlerësuar gjithmonë kompetencën dhe në veçanti stilin, me të cilin Pioli përballej me kalimet më të vështira. Tekniku gëzon besimin më të madh, e dëshmon edhe deklarata zyrtare me të cilën “RedBird” e shkarkoi Maldinin. U fol për një grup pune që do të punonte “në kontakt të ngushtë me trajnerin e ekipit të parë”. Ai trajner me shkronjë të madhe duket se aludon për detyra përtej atyre të një trajneri të thjeshtë ekzekutiv. Më shumë përfshirje, më shumë përgjegjësi. Në këtë kuptim, thamë, sfida premton të jetë e vështirë, por edhe shpërblyese në nivel profesional.
REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL