Interin e pret një verë e gjatë në merkato, por më e gjatë akoma do të duket për drejtuesit e tij. Xhuzepe Marota dhe Piero Auzilio duhet të kompletojnë mozaikun zikaltër, që sot ka humbur disa pjesë të rëndësishme të tij. Shitjet, zgjedhja për t’u larguar apo lojtarët që nuk kanë rinovuar pas skadencës së kontratave, kanë shkaktuar boshllëqe të shumta për Inzagin, që ndërsa pret grumbullimin, pret edhe dhurata nga drejtuesit.
SULMI E MESFUSHA – Në sulm ardhja e Turamit kompensoi lamtumirën e Xhekos, por tani e gjithë vëmendja është te Lukaku, një operacion prioritar, jetik, aq sa paratë e mbledhura nga shitja e Brozoviçit, pritet t’i kalojnë belgut. Reparti me “Big Rom”, do të kompletohej me Lautaron dhe Korrean, me këtë të fundit megjithatë të destinuar të qëndrojë vetëm për shkak të mungesës së ofertave. Shitja e Brozoviçit dhe largimi i Galjardinit ka hapur nga ana tjetër dy vrima në mesfushë. Fratezi, Samarxhiç, MilinkoviçSaviç janë emra joshës, por negociatat janë komplekse dhe gatishmëria ekonomike e zikaltërve është e ulët. Në një situatë të tillë drejtuesit duhet të vlerësojnë rikthimin e Stefano Sensit në bazë, me italianin që i demonstroi cilësitë e tij te Monza dhe mund të rezultojë të jetë një zgjidhje e dobishme e brendshme. Të paktën për të mbushur një boshllëk dhe si një alternativë.
KRAHËT – Në të majtë Dimarko është i paprekshëm, kurse Gosens është në merkato edhe pse mungojnë ofertat e kënaqshme. Largimi i tij është i diktuar nga nevoja për të mbledhur para dhe mund të kompensohet nga mbërritja e Karlos Augustos nga Monza. Belanova në të djathtë nuk u konfirmua dhe tashmë në atë korsi mungon një zëvendësues për Dumfrisin.
MBROJTJA DHE PORTA – Ka dy vende të tjera bosh në mbrojtje me lamtumirën e Shkriniarit dhe D’Ambrozios, një mund të mbushet nga gjermani Jan Bisek, por një tjetër mbetet ende vakant. Në një situatë edhe më të çuditshme është porta. Kush do ta zëvendësojë Onanën nëse largohet dhe për më tepër kush do ta bëjë portierin e dytë? Handanoviç mund të detyrohet të rinovojë nga nevoja, por lista për të gjetur pasuesit është e gjatë. Nga Trubin te Mamardashvili, Karnezeki, Audero e shumë të tjerë, Inzagi do të ketë nevojë me shumë mundësi për dy portierë (duke marrë parasysh edhe që Kordaz do të jetë tashmë pjesë e Al-Nasrit) dhe Marota duhet të mbajë të pandryshuar nivelin.
PANORAMASPORT.AL