Armando Izo ka qenë një nga lojtarët që ka hapur më shumë polemika në javët e fundit në Itali, duke qenë se Gjykata e Napolit e dënoi me 5 vite burg për shkak të përfshirjes në trukimin e ndeshjeve. Megjithatë, lojtari nuk e ka pranuar diçka të tillë dhe ka apeluar vendimin.
Pavarësisht çështjes, Monza nuk duket e shqetësuar dhe ditën e sotme i ka ofruar një kontratë 3 vjeçare ish-futbollistit të Torinos. Izo ka mbërritur në qendrën e Monzës ku edhe do të kryejë vizitat mjekësore para se të firmosë kontratën që e mban të lidhur me skuadrën deri në vitin 2025.
Izo akuzohet për trukim ndeshjesh në kohën kur ishte pjesë e Avelinos, por në seancën gjyqësore ai u shpreh se atë ndeshje as nuk ka luajtur megjithatë janë përgjimet telefonike ato që e përfshijnë futbollistin në grupin e kamorras.
Emri i Izos doli në një përgjim të kamorras, pasi ai ka lidhje farefisnore me disa elementë mafiozë. Çështja vazhdoi për shumë vite nën hetim, pasi Izo përmendej si protagonist në trukimin e rezultatit të të paktën një ndeshje për të favorizuar kamorrën në vendosjen e basteve sportive në sezonin 2013-2014.
PANORAMASPORT.AL