Piero Auzilio dhe Xhuzepe Marota kanë marrë në dorë frerët e Interit prej vitesh dhe janë në thelb të çdo operacioni që kryejnë zikaltrit. I pranishëm në një nga eventet e Milanos, drejtori sportiv Auzilio ka analizuar të gjitha temat e merkatos duke premtuar se Interi që po formohet do të jetë ashtu si çdo vit pretendent.
Handanoviç është në skadencë kontrate. A është Trubin një talent?
Kontrata i ka skaduar dhe siç e keni parë për të tjerët janë bërë komunikimet, kurse për Samirin jemi duke bërë vlerësime. Trubin është një talent, si shumë lojtarë dhe Interi ka për detyrë të vëzhgojë.
A ishte e vështirë negociata e Fratezit?
Në të gjitha negociatat ka gjithmonë vështirësi, me Sasuolon më pas ato rriten. Kishte shumë klube të interesuara, edhe pse mund ta mohojnë. Ne e bindëm dhe lojtari ra dakord me ne, edhe pse duhet të ketë kujdes sepse Interi nuk është Sasuolo.
Keni pasur emrin e Kvaratskhelias në tavolinë?
Po, dhe nuk e kam pasur vetëm unë, e donin edhe Juve e Roma. Takova agjentin, por nuk ishte funksional në modulin tonë 3-5-2.
Lamtumira e Brozoviçit dhe reagimet në rrjetet sociale.
Nuk më interesojnë rrjetet sociale, më interesojnë ato që Brozoviç ka bërë për 8 vite tek Interi. Pothuajse të gjitha kanë qenë vite të rëndësishme, sepse nuk është se ai ka bërë gjithçka shumë mirë dhe veçanërisht vitet e fundit kanë qenë të rëndësishme. E falënderojmë për atë që dha, por tani Brozoviç është e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja janë Fratezi dhe të tjerët që mbetën.
A keni buxhetin e zakonshëm?
E thashë edhe më parë, ne punojmë në përputhje me disa shifra që klubi dhe UEFA japin me FFP. Koncepti është i thjeshtë: shpenzon atë që merr. Ka shumë ide dhe zgjidhje në treg, ne nuk jemi ngadalësuar kurrë. Çdo vit flasim për Interin që ka probleme, në realitet jemi gjithmonë aty, konkurrues, fitojmë një titull, dy Kupa të Italisë, dy Superkupa dhe kemi bërë dy finale, një në Ligën e Europës dhe një në Ligën e Kampionëve. Do të vazhdojmë të jemi konkurrues.
Është kjo java e dialogut me Çelsin për Lukakun?
Nuk më pëlqen të flas për kohën, Lukaku është një nga idetë tona më të rëndësishme dhe gjithë arena sportive mendon njësoj. Është lojtar i Çelsit, ata nuk e japin në huazim dhe ne tani po vlerësojmë nëse ka mundësi për ta nënshkruar drejtpërdrejt.
A mund të jetë Onana çelësi për ta blerë atë?
Për momentin, Onana është portieri i Interit. Nëse lindin mundësi, do t’i vlerësojmë dhe dëgjojmë, por nuk ka as data, as afate.
Rinovimet e Çalhanoglusë dhe Bastonit.
Kishim kohë që i përgatisnim, jemi shumë të gëzuar sepse me ta duam të ndërtojmë të tashmen dhe të ardhmen. Ishte e drejtë të zgjasnim kontratën me ta edhe për rëndësinë që kanë pasur në këto sezone.
A do të vijë një lojtar tjetër në mesfushë? Është Samarxhiç opsion?
Kemi disa që mund ta luajnë atë rol, kështu që në rastin e parë duhet të vlerësojmë disa dalje. Kur të fillojë sezoni do të kemi 6 lojtarë në atë repart. Ne kemi nevojë për lojtarë që të kenë konkurrencë mes tyre, duam të kemi role të dubluara me 20 lojtarë dhe 3 portierë.
I shikoni profilet e “Instagram”-it të lojtarëve para se t’i merrni?
Unë rrëfej që nuk kam një llogari zyrtare në “Instagram”, por më duhet të ndjek… gratë. Nga bashkëshortet dhe të fejuarat kuptohen shumë gjëra. Kam filluar me një grua të famshme të një lojtari që po më sillte probleme. Pastaj ndjek edhe lojtarë të skuadrave të tjera për të përzier pak letrat.
Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL