Pas prezantimit të tij nga Real Madrid, i cili u bë viral për shkak të ‘gafës’ së vogël të bërë me presidentin
Florentino Perez, dalin detaje të reja për transferimin e Arda Guler nga Fenerbahçe në ‘Casa Blanca’ (20 milionë për klubin e Stambollit dhe kontratë deri në vitin 2029 për mesfushorin 18-vjeçar turk).
Këto i zbuloi gjyshi nga babai i djalit, Mehmet Ali Guler, i intervistuar nga agjencia turke e shtypit Demiroren (DHA), duke shpjeguar rolin themelor që luajti Modriç në zgjedhjen e Arda-s, i cili preferoi Realin ndaj klubeve të tjera të mëdha si Barcelona dhe Milan.
Kapiteni i Los Blancos e ka marrë në telefon, tha gjyshi i Guler-it dhe i tha: “Do ta lë futbollin pas një viti, numri 10 do të jetë i yti”.
Një trashëgimi e rëndë për këtë talent të ri, i cili e ka ditur gjithmonë atë që dëshiron, megjithatë, aq sa trajnerit të tij në akademinë e të rinjve në Genclerbirligi, siç e zbuloi sërish gjyshi i tij, i tha:
“Nga këtu do të shkoj në Fenerbahçe dhe më pas do të shkoj në Europë në moshën 17-18 vjeçare”. Një profeci e realizuar, me ‘bekimin’ e Modriç.