Paolo Di Kanio, ish-sulmuesi i njohur italian, ka vlerësuar lëvizjen e fundit të Milanit, që është shumë pranë firmës me Kristian Pulisiç. Futbollisti ka pranuar të transferohet nga Çelsi te kuqezinjtë dhe sipas Di Kanios, është një lëvizje e rëndësishme pasi futbollisti nuk ka treguar ende potencialin e tij të plotë.
“Pulisiç është i aftë, mund të luajë si organizator, por jo mes linjave. Është shumë i aftë me topin në këmbë, në driblimin direkt, në shkëmbimin e shpejtë me shokët e skuadrës. Ai është një lojtar i cili me ndalesën e orientuar arrin të kapërcejë kundërshtarin dhe ka vizion për lojën.
Ai nuk është një super golashënues, 20 gola në 93 ndeshje me Çelsin nuk janë shumë. Por është një futbollist i cili ka vazhdimësi në rendiment kur ndjehet mirë, si në dy vitet e para te Çelsi, ndërsa në dy të fundit ka vuajtur shumë. Flasim për të si të ishte një i vjetër në moshë që duhet rehabilituar, por bën vetëm 25 vjeç në shtator dhe mund të shpërthejë ende.
Në kampionatin italian mund të bëjë më mirë pasi është një kampionat që ka më pak ritëm. Milani është një skuadër që dëshiron të prodhojë futboll, një ekip që nëpërmjet manovrës mundohet të ofrojë futboll”, tha Di Kanio në analizën që bëri për futbollistin e SHBA-së që pritet t’u bashkohet kuqezinjve në ditët në vijim
PANORAMASPORT.AL