Lupa e Barcelonës ka qenë e fokusuar rregullisht në tokën braziliane në kërkim të talenteve. Që kur klubi lindi në vitin 1899, gjithsej 41 futbollistë nga shteti i Amerikës së Jugut kanë veshur fanellën e Barçës.
Nga Fausto dos Santos, pionieri, me nofkën “Maravilha Negra” (Mrekullia e zezë), te Vitor Roke, nënshkrimi i afërt i Barçës, lista e brazilianëve është e gjatë. Historia e tyre në fakt është një përzierje mes sukseseve të shkëlqyera dhe dështimeve spektakolare. Shumë prej tyre kanë rezultuar të jenë më shumë se investime pa pagesë, pasi kanë lënë gjurmë në librat e historisë së klubit.
Idhujt për fëmijë dhe të rritur dhe aktorë të pamohueshëm të disa sukseseve të klubit. Histori autentike dashurie. Por ka pasur dhe nga ata që kanë mbetur për keq në historinë e klubit, pa lënë huajës asnjë gjurmë. Disa madje as nuk e bënë debutimin e tyre.
EVARISTO DE MASEDO (1957-1962) – Është i pari i olimpit brazilian që zbarkoi në Barcelonë. Gjatë pesë sezoneve të tij në Barcelonë, ai shënoi 173 gola në 219 ndeshje. Fitoi dy liga, dy Kupa të Panaireve dhe një “Copa del Rey”. Ai ishte gjithashtu protagonist i një prej netëve të mëdha të Barçës në atë kohë: eliminimit të Real Madridit në Kupën e Europës 1960-‘61, pasi asnjë ekip nuk e kishte arritur më parë. Sulmuesi karioka shënoi golin që zgjidhi ndeshjen. Pasi përfundoi karrierën e tij te Barcelona, Evaristo zbarkoi pikërisht në rivalin e përjetshëm, klubin “Merengues”, ku luajti disa sezone.
ROMARIO (1993-1995) – Një nga emrat e mëdhenj të Barçës në fillim të viteve ‘90. I aftë si rrallëkush. Ai shënoi 39 gola në 66 ndeshje zyrtare. Fatkeqësisht për Barcelonën, ai kishte të njëjtin famë si brenda dhe jashtë tapetit dhe ishte subjekt i polemikave të panumërta jashtë fushe. Aktualisht është i angazhuar në politikë.
RONALDO NAZARIO (1996-1997) – Koha e tij në “Camp Nou” ishte sa kalimtare aq edhe barbare. Vetëm një sezon, por ai pati vitin më të mirë të gjithë karrierës së tij, duke shënuar 47 gola në 51 takime duke argëtuar të gjithë Spanjën me futbollin e tij spektakolar. Kjo e ndihmoi atë të përvetësonte të parin nga dy “Topat e Artë” që fitoi në karrierë. Për shumë cilësohet si numri 9 më i mirë në histori. “Fenomeni” nënshkroi për Interin dhe më pas iu bashkua Madridit. Aktualisht ai është pronar i Vajadolidit.
RIVALDO (1997-2002) – Ishte braziliani numër 15 në historinë e klubit. Organizator gjenial që krijoi një partneritet fantastik me Patrik Klaivert, duke lënë pas 130 gola në 235 ndeshje.
RONALDINJO (2003- 2008) – Me profesion magjistar. Aq shumë saqë edhe “Santiago Bernabeu” e duartrokiti atë. Një rebel i lindur që udhëhoqi rilindjen e Barçës në fillim të shekullit aktual. Ai fitoi dy tituj në La Liga dhe një Champions me Barcelonën, me të cilën shënoi 95 herë në 210 ndeshje që luajti.
NEJMAR (2013-2017) – Vazhdon të jetë, shitja më e shtrenjtë në historinë e Barcelonës dhe futbollit botëror (222 milionë euro). Një nga asistentët e preferuar të Leo Mesit. Vrapimet e tij dhe gjurmët e lëna do të jenë të vështira për t’u harruar.
DËSHTIMET – Në anën tjetër të peshores janë brazilianët që përfaqësojnë disa nga dështimet më të mëdha në historinë e Barçës. Dy rastet thelbësore janë Kerrison dhe Henrike. Në vitin 2008, Joan Laporta transferoi 8 milionë euro te Palmeiras për Henriken, i cili nuk luajti për asnjë minutë. Dështimet vijuan në verën e vitit 2009, kur presidenti dyfishoi gabimin dhe pagoi 16 milionë për të marrë shërbimet e Kerrison. Ashtu si në rastin e Henrikes, ai nuk bëri dot debutimin me Barçën. E vetmja fotografi që ekziston e sulmuesit me xhaketën “cule” në bagazhin e kujtimeve është ajo e ditës së prezantimit të tij. Në këtë listë dështimesh janë dhe Kutinjo, Duglas, Xhovani, Rohenbah, Kleo…
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL