Juventusi është shndërruar në një supermarket të Europës, për sa i përket kësaj merkatoje.
“Zonja e vjetër” ka nevojë të dëshpëruar për të futur në arkat e saj miliona euro të konsiderueshme, duke parë mungesën në Champions, pasi vetëm kështu mund të ruajë balancën ekonomike. Por ajo çfarë është më e keqja lidhet me faktin se bardhezinjtë janë të detyruar që të sakrifikojnë edhe ndonjë prej yjeve të skuadrës së tyre, ku padyshim tashmë nuk është më një çudi që më të kërkuarit janë dy sulmuesit kryesorë, Federiko Kieza dhe Dushan Vlahoviç.
KIEZA – Për italianin oferta e parë zyrtare ka ardhur dhe i përket Aston Vilës, e gatshëm që të paguajë 70 milionë euro për kartonin e tij. Por oreksi i Juventusit, edhe pse i ka dhënë leje anglezëve që të mund të komunikojnë me Kiezën, i është hapur oreksi dhe pretendojnë deri në 80 milionë tani, duke parë se ditën e djeshme kanë zbarkuar në Torino emisarë të Liverpulit, që janë gati të bëjnë gjithçka për 25-vjeçarin. Gjithsesi, kujdes edhe Njukasëllin e milionave të pafundme arabo-saudite, i cili mund të kapërceje përtej, pse jo deri në 90-100 milionë, vetëm për të mundur konkurrencën, ndonëse edhe me 80 milionë, nëse Kieza pranon largimin, në Torino do ta paketonin direkt.
VLAHOVIÇ – Për serbin, nëse Bajerni i Mynihut duket sikur e ka liruar disi rripin dhe e ka lënë në pritje Dushan Vlahoviçin, ky i fundit ka hyrë fuqishëm në lupën e PSG-së, e cila gjithmonë e më shumë po bindet për të shitur që këtë verë Kilië Mbapenë. Për këtë arsye, bisedimet mes palëve janë shtuar, por Juventusi as që kërkon të ulet në tavolinë pa 80 milionë euro, shifër kjo që është garantuar nga ana e francezëve, edhe pse ata fillimisht duhet të shesin. Fakti që PSG-ja po kërkon që të ngrejë një linjë të fortë lidhet edhe me një interesim të Realit të Madridit, i cili sivjet ka plane të mëdha dhe pavarësisht e blen apo jo Mbapenë, Karlo Ançelotit i duhet me çdo kusht një numër 9 dhe ballkanasi është i përzgjedhuri. Madje, Reali mund të ketë nga Juvja edhe favorin e një huazimi, por jo PSG-ja.
BREMER – Një tjetër emër i madh që Juventusi rrezikon seriozisht që të humbë është Gleison Bremer. Qendërmbrojtësi brazilian pëlqehet shumë nga Totenhemi, që është gati të paguajë deri në 60 milionë euro për të (Juves i kushtoi 51 milionë). Në të njëjtat shifra udhëton edhe Njukasëlli, që kërkon t’i shtojë peshë prapavijës për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve, por edhe Junajtidi, nëse shet Meguajerin mund të futet seriozisht në bisedime për Bremerin me “zonjën e vjetër”.
TË TJERËT – Ndërkohë, tre emrat e tjerë që duhen sistemuar me çdo kusht janë Matias Soule, i cili edhe pse i pëlqen trajneri Alegri, mund të shitet, pasi është në momentin e tij më të mirë, pas paraqitjeve të vjetshme. Vlerësimi prej 25 milionësh ka nxitur skuadrat e Betisit dhe Lacios, por edhe Sasuolon së fundmi, që është gati ta shkëmbejë kokë më kokë me Berardin. Deniz Zakaria ndoshta është i pari që do të bëjë valixhet. Mesfushori zviceran është në bisedime të avancuara me Uest Hemin, për 25 milionë euro, por edhe Lensi e Monako janë në gjueti të tij. Dhe në fund Ueston MeKeni… “Marinsi” ka ngjallur edhe interesin e Borusias së Dortmundit, të cilët së bashku me Gallatasarajin kanë rritur pretendimin ekonomik të Juves në 25 milionë euro, edhe pse Brajtoni, që nuk është se i trembet aspak çmimit të amerikanit, mund të bëjë surprizën e madhe. Fundja, Premier Liga josh më shumë sesa Bundesliga dhe Superliga turke.
JETON STAMOLLA-PANORAMASPORT.AL