Artur Melo është ndoshta lojtari që Juventusi është gati edhe ta falë, vetëm për ta larguar, duke parë se mes rrogës (6 milionë euro neto) dhe taksave i kushton afro 10 milionë euro në sezon.
Por ndërsa nga Anglia ku shumë klube e ndjekin janë gati që të ofrojnë fillimisht vetëm huazimin me të drejtë blerjeje, lajmi bombastik vjen nga Spanja.
Trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, po mendon që t’i japë një tjetër shans brazilianit për t’u rikthyer në nivelet e tij. Artur shkëlqeu që në fillim në radhët e katalanasve, ndonëse më pas futja e tij në tratativën e shkëmbimit me Pjaniçin nuk u kuptua asnjëherë. Por pikërisht, sepse e ka parë në aksion, Ksavi mendon se ai mund të jetë një përforcim i rëndësishëm për të rritur nivelin e “tiki-takas” në “Kamp Nou” dhe për Melon është gati që të ofrojë në huazim Frenk Kesin.
Për momentin bëhet fjalë për një këmbim lojtarësh, asnjë formulë tjetër dhe duket se kjo i pëlqen jo vetëm futbollistit bardhezi, por edhe Juventusit, që me Kesin do të kompletonte mesfushën, duke qenë se afrikani për nga cilësitë është shumë i ngjashëm me Milinkoviç-Saviçin. Bisedimet kanë nisur, tani pritet vetëm intensifikimi i tyre.
PANORAMASPORT.AL