Kalvin Phillips kaloi një vit të vështirë në planin personal te Manchester City teksa viti i parë te the Citizens u cënua nga problemet fizike. Mesfushori mbeti thjesht një rezervë luksi për trajnerin Pep Guardiola në sezonin ku skuadra fitoi tre titujt më të rëndësishëm të sezonit, Premier League, Champions League dhe FA Cup. Megjithatë, lojtari i kombëtares së Anglisë nuk dorëzohet dhe pret që sezonin e ri të mund të fitojë rolin e protagonistit ashtu siç ndodhte me fanellën e Leeds United.
Në një rrëfim të gjatë për “Mail Sport”, 27-vjeçari flet edhe për babain e tij që është aktualisht në burg duke vuajtur një dënim 12-vjeçar. Phillips shprehet se nuk e ka takuar prej gjashtë vitesh, por shton se flet shpesh me të në telefon dhe se është i gatshëm ta ndihmojë me gjithçka sapo ai të dalë nga burgu.
“Mendoj se hera e fundit që e kam takuar babain ka qenë gjashtë vite më parë. Por, mua më duket sikur ai nuk është larguar kurrë. E di tani është pak më i vjetër. Herën e fundit që e takova kemi qeshur shumë, folëm për futbollin dhe ai më tha se ndjehej krenar për mua. Ndjehet keq sepse nuk ka qenë prezent në fëmijërinë time, kërkon që unë të mos e shpenzoj kohën me të. Por, unë jam gati sa herë më merr në telefon. Babai im është nga ata njerëz që tërhiqen sapo mendojnë se po bëjnë diçka gabim dhe prandaj kërkon që unë të mos ta takoj vazhdimisht.
Ndonjëherë kalon edhe dy apo tre muaj pa folur në telefon, edhe pse unë i them që të marrë vazhdimisht. Në marrëdhënien tonë ne nuk kemi pasur kurrë probleme, mezi pres që ai të dalë dhe të jetë në një shtëpi të sigurt. Të vijë dhe të shohë ndeshjet e mia, por më duhet të pres. Unë do të kujdesem për të që të mos rikthehet sërish në burg.
Mund të më kërkojë çfarë të dojë, makinë, shtëpi. Më ka thënë se e vetmja dëshirë është që të udhëtojë nëpër botë e të më shohë duke luajtur, kjo është një dëshirë që mund të realizohet”, u shpreh Phillips, i cili në vazhdim të intervistës flet edhe për marrëdhënien e tij me trajnerin Pep Guardiola. Mesfushori sqaron se nuk e mori për keq në momentin që spanjolli e quajti të shëndoshë dhe theksoi se trajneri ka gjithnjë të drejtë.
“E dija që nuk do të ishte e lehtë te City, aq më tepër me një trajner si Guardiola. Skuadra këtu punon shumë ndryshe nga ajo që unë isha mësuar te Leeds. Pep është nga ata trajnerë që bën shumë rotacione, është pak e vështirë të përshtatesh menjëherë me idetë e trajnerit. Te City nuk ka kohë. Nuk e kam problem që Guardiola më quajti të shëndoshë, nuk mund të them se nuk kishte të drejtë. Isha në New York për disa ditë pas Kupës së Botës dhe nuk e zbatova me përpikmëri regjimin.
Por, kam një kontratë gjashtëvjeçare me Cityn dhe ka shumë lojtarë që kanë vuajtur vitin e parë këtu. Këtë sezon synoj të luaj më shumë, transferimi te City padyshim që ka qenë vendimi më i mirë në karrierë. Tani jam një lojtar shumë më i mirë dhe falë Guardiolë e shoh ndryshe ndeshjen”, përfundoi Phillips.