Dinamo ka prezantuar dy përforcimet e radhës. Lorran Quintanilha dhe Edmir Sali janë futbollistët më të rinj të 18 herë kampionëve të Shqipërisë. Mesfushori brazilian vjen nga Bylisi, skuadër me të cilën luajti nga janari i vitit 2021 deri në sezonin e fundit.
Gjatë aventurës në Ballsh, Lorran zhvilloi 87 ndeshje dhe shënoi 3 gola. 27-vjeçari ka firmosur kontratën me Dinamon, duke mbetur në Superiore.
Pjesë e skuadrës së Mehmetit do të jetë në sezonin e ri edhe portieri vlonjat. Sali mbrojti portën e Kastriotit në dy sezonet e fundit. 25-vjeçari ka luajtur më parë në Superiore dhe me Laçin. Ndërkohë që ka veshur edhe fanellat e Flamurtarit dhe Orikut.
“Lorran Quintanilha vishet Blu! Mesfushori brazilian e ka zhvilluar karrierën e tij në vendlindje ndërsa prej sezonit 2020/21 ishte pjesë e ekipit të Bylis.
Klubi blu i uron suksese me eksperiencën e tij të re si pjesë e 18 herë kampionëve të vendit. Mirë se vjen Lorran”, lexohet në komunikatën zyrtare të klubit kryeqytetas.
Lorran luan si mesfushor me tipare mbrojtëse, ndërkohë që mund të luajë edhe si mbrojtës e mesfushor i majtë.
“Edmir Sali është zyrtarisht Dinamovit! Ditën e sotme në prani të presidentit Bardhi, portieri vlonjat firmosi kontratën e re që e bën pjesë të bluve të kryeqytetit në sezonin e ri.
25-vjeçari më herët ka qenë pjesë e Flamurtarit dhe Laçit ndërsa në dy sezonet e fundit ka mbrojtur portën e Kastriotit. Mirë se vjen Edmir“, lexohet në postimin zyrtar të prezantimit të “gardianit” nga Vlora.
Me dy afrimet e fundit shkon në pesë numri i përforcimeve për skuadrën kryeqytetase. Që më parë ka siguruar shërbimet e mbrojtësve Rustem Hoxha dhe Jocelin Behiratche. Dhe sulmuesit Luis Kaçorri.