Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka shënuar fitoren e shtatë rresht. Futbollistet e Kosovës të dielën fituan 2:0 në miqësore ndaj Lihtenshtajnit. Ndeshja është luajtur paradite në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Kjo është seria më e suksesshme e Kosovës deri më tani. Por të gjitha shtatë fitoret janë në ndeshje miqësore. Në shkurt kishte fituar ndaj Estonisë, Hong-Kongut dhe Bullgarisë. Më pas në prill futbollistet e Kosovës fituan ndaj Letonisë dhe sërish ndaj Bullgarisë. Këtë javë, të përzgjedhurat e Anneli Andersen shënuan dy fitore ndaj Lihtenshtajnit.
Tri ditë më parë Kosova fitoi 4:0 ndaj Lihtenshtajnit. Për ndeshjen e së dielës përzgjedhësja Andersen aktivizoi në përbërjen bazë lojtaret krejt tjera për dallim nga ndeshja e parë me Lihtenshtajnin. Kështu ajo ka aktivizuar të gjitha futbollistet që i kishte në grumbullim.
“Edhe në ndeshjen e sotme Kosova e dominoi lojën që nga fillimi, por vapa e madhe ndikoi në paraqitjen e të dyja ekipeve”, ka njoftuar FFK-ja.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa në pjesën e dytë, Kosova shënoi dy gola. Në minutën e 75-të Donjeta Halilaj shënoi me goditje nga zona për 1:0. Pesë minuta më vonë Rrezona Ramadani shënoi për 2:0.
Ndeshjet me Lihtenshtajnin shërbejnë për ta përgatitur ekipin për edicionin e parë të Ligës së Kombeve. Kosova është në Ligën C, që i bie të jetë niveli i tretë. Në grup i ka Bullgarinë dhe Maqedonisë. Më 26 shtator luan në udhëtim ndaj Bullgarisë, ndërsa më 27 tetor prapa në udhëtim, përballet me MAqedonisë e Veriut. “Dardanet” e presin Maqedoninë e Veriut më 31 tetor, ndërsa më 1 dhjetor e presin Bullgarinë.
Lihtenshtajni është përfaqësuese goxha e re. Me miqësore ka nisur në vitin 2021, ndërsa nuk ka ende ndeshje garuese. Vjet i ka humbur tri miqësore. Ndeshjet me Kosovën ishin të parat për këtë vit.