Çmimet e rritura të biletave për ndeshjet e kombëtareve duket se nuk kanë lënë të pakënaqur vetëm tifozët shqiptarë. Edhe tifozët e Polonisë, një prej kundërshtarëve të kuqezinjve në grupin kualifikues të Euro 2024, kanë paralajmëruar një bojkot masiv për shkak të shtrenjtimit të biletave të ndeshjeve që luajnë në shtëpi Leva & Co.
Grupimi “Ultras Polska ’23”, i cili ndjek përfaqësuesen polake rregullisht, ka publikuar një komunikatë në të cilën bën të ditur se do të bojkotojë ndeshjen e ardhshme të saj, pasi është kundër politikës së rritjes së ndjeshme të çmimit të biletave që po aplikon federata vendase. Kështu, ata do të boshatisin stadiumin në ndeshjen e 7 shtatorit ndaj Ishujve Faroe që Polonia luan në shtëpi, para se të udhëtojë drejt Shqipërisë për duelin shumë të rëndësishëm ndaj kuqezinjve.
Një situatë që mund të jetë në favor të kombëtares shqiptare, e cila luan ndaj Polakëve një ndeshje vendimtare pasi mund të vendosë fatin e kualifikuesve meqenëse përfaqësuesja e drejtuar nga Fernando Santos po kalon një formë shumë të dobët.
PANORAMASPORT.AL