Endri Çekiçi është aktualisht një futbollist i lirë. Mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk rinovoi me klubin turk të Koniasporit dhe tashmë po bëhet gati për një tjetër aventurë.
Pasi u rikuperua nga dëmtimi dhe vijoi stërvitjen i diferencuar në Tiranë, dy klube kanë dalë në skenë për të firmosur me pogradecarin.
Një pistë është ajo e Rizesporit, klubit që sapo u ngjit në Superligën turke, me drejtuesit e të cilit Çekiçi ka biseduar dhe brenda kësaj jave duhet që të vendosë.
Te Rizespori, Endrin e kërkon ish-trajneri që ka punuar te Konia. Ndërkohë, sirenat e tjera janë nga Kategoria e Dytë angleze.
Sipas “DiffCentral”, skuadra e Kardifit ka shfaqur interes për mesfushorin 26-vjeçar. Sipas medias në fjalë, ai mund të përshtatet shumë mirë në krah të Aron Ramsejit, një lojtari me tepër eksperiencë që tani luan për Kardifin.
Kujtojmë që në muajin janar, për Çekiçin kishte edhe një interesim nga AEK-u i Athinës dhe një pistë e tillë nuk përjashtohet edhe tani në verë.