Mesfushori i Real Sociedadit, David Silva do të tërhiqet nga futbolli pasi pësoi një lëndim të ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL), bën të ditur “The Athletic”.
37-vjeçari, i cili iu bashkua Sociedadit në verën e vitit 2020, pësoi një lëndim në stërvitje në fillim të kësaj jave. Lëndimi ka bërë që ish-reprezentuesi i Spanjës të mendojë t’i jep fund karrierës së tij 19-vjeçare si lojtar profesionist, raporton lajmi.net.
Silva e filloi karrierën e tij te Valencia, ku erdhi përmes akademisë së të rinjve dhe vazhdoi të bëjë 168 paraqitje për klubin, duke shënuar 32 gola e duke ofruar 36 asistime dhe duke fituar Kupën e Spanjës në vitin 2008.
Më pas, mesfushori u transferua te Manchester City në verën e vitit 2010, ku u bë një nga lojtarët më të mirë në historinë e klubit. Spanjolli bëri 436 paraqitje për Cityn, duke shënuar 77 gola, duke dhënë 140 asistime dhe duke fituar 14 trofe, përfshirë katër tituj të Premier Ligës.
Pas dhjetë vitesh të suksesshme në City, lojtari u kthye në Spanjë, ku bëri 93 paraqitje për Sociedad, duke shënuar shtatë gola, duke bërë 18 asistime dhe duke ndihmuar skuadrën e tij të arrinte kualifikimin në Ligën e Kampionëve për herë të parë pas një dekade.
Silva gjithashtu do të mbahet mend si një nga lojtarët më me ndikim të vendit të tij. Ai bëri 125 paraqitje për Spanjën, duke shënuar 35 gola, duke fituar Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Evropian në vitin 2008 dhe 2012./Lajmi.net/