Më i lumturi nga të gjithë duhet të jetë babai Xhorxh, i cili pavarësisht të kaluarës së tij kuqezi ka pasur gjithmonë simpati për vijat bardhezi.
Duket pothuajse si skenari i një filmi, i xhiruar në Hollivudin vezullues, i cili është vetëm një orë me makinë nga qendra stërvitore amerikane e Juventusit në Los Anxheles: Timoti Ueah, djali i ish-fituesit të “Topit të Artë”, do të debutojë me fanellën me numrin 22 të Juventusit kundër Milanit në të gdhirë të ditës së premte, skuadra në të cilën u shenjtërua babai i tij.
Dhe vendndodhja praktikisht do të jetë shtëpia e tij: Shtetet e Bashkuara, ku ai lindi dhe u rrit, gjithashtu në futboll dhe ku mbron ngjyrat e kombëtares.
FYTYRË E RE – Në fushën e Universitetit Loyola kishte shumë fëmijë që ndiqnin stërvitjen dhe shumë prisnin pikërisht atë. Timo njihet dhe vlerësohet në këto anë, ndërsa në Itali shihet me një farë kureshtjeje. Tani për tani ai është fytyra e vetme e re e Juventusit 2023-‘24 dhe Masimiliano Alegri tashmë ka filluar të kujdeset për të.
MËSIME MBROJTJEJE – Në seancat e para stërvitore, trajneri i kushtoi shumë vëmendje, duke u ndalur disa herë gjatë ushtrimeve për t’i shpjeguar disa lëvizje. Maks është fokusuar mbi të gjitha në fazën e mbrojtjes, në diagonalet dhe në leximin e situatave të lojës. Ueah ka lindur si sulmues, ai vetë ka deklaruar se i pëlqen të luajë si nëntë ose në krah, por u kthye në anësor te Lila dhe është atje ku Alegri dëshiron ta përdorë.
Korsia e djathtë, krahu që ka qenë prej kohësh pronë private e Kuadrados, do të bëhet vendgjuetia e tij. Në këto ditë amerikane e kemi parë gjithmonë në atë anë, i ambientuar dhe i përqendruar, tashmë i integruar mirë në një grup që e priti me shumë entuziazëm.
AMBIENTIMI – Timoti është një djalë që e do muzikën dhe menjëherë u lidh shumë me bashkëmoshatarin e tij, Kenin, të cilin ai e njihte. Të dy shihen shpesh së bashku, duke ndarë moshën dhe pasionet (veçanërisht atë për “PlayStation”, lojën e preferuar në kohën e lirë gjatë grumbullimeve) dhe gjithashtu dëshirën për t’u konfirmuar te Juve.
Nëse shkon në shkollën e taktikës me Alegrin, përveç Kenit, po mendojnë këto ditë t’i shpjegojnë se si funksionon Juventusi edhe bashkëkombësi i tij Mekeni dhe miku i tij i ri, Gati.
KRYQËZIMI – Të premten, në shijen e tij të parë të futbollit italian, Timo (siç e quajnë miqtë e tij) do të gjejë gjithashtu një tjetër shok të kombëtares, Pulisiçin, një afrim të ri të Milanit. “Ai është një mik dhe mezi pres të përballem me të”, tha Ueah përmes “Twitch”. Dhe ndoshta për ta mundur, për ta nisur menjëherë me këmbë të mbarë.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL