Dy portierë, një sulmues, një qendërmbrojtës, një mesfushor: këto janë prioritetet e merkatos së Interit më pak se një muaj para fillimit të kampionatit.
Rreth tridhjetë ditë – edhe më shumë duke pasur parasysh që merkato verore mbyllet më 1 shtator – për të plotësuar listën: qetësia para stuhisë? Pyetja në mendjen e tifozëve zikaltër është kjo: A do të riinvestohen paratë e shitjeve (mbi të gjitha ato të Onanës dhe Brozoviçit)? Të gjitha? Si? Në heshtjen e klubit dhe pas premtimeve pranverore të presidentit Zhang, qetësia që shoqëron punën e Marotës, Auzilios dhe Bakinit është e vërtetë apo thjesht një fasadë? Sigurisht që rezistenca e Bajernit për Zomerin dhe kthesat e Lukakut vonuan planet e zikaltërve nga njëra anë dhe i komplikuan ato nga ana tjetër. Kjo është e qartë. Bllokimi i Shahtjorit për Trubin nuk befasoi shumë, ashtu si edhe kërkesa e lartë e Udinezes për Samarxhiçin. Por objektivat e vendosura mbeten ende larg: vështirësitë më të mëdha mbeten sigurisht për sulmin, sepse, problemi i madh që u shfaq papritur ishte tradhtia e Big Rom. Për të zëvendësuar Onanën duket se është zgjidhur më në fund ngërçi për të firmosur me Zomerin. Natyrisht, në rrugën “Liberazione” llogarisnin që të mund ta kishin zgjidhur gjithçka menjëherë pas shitjes së kamerunasit. Por vështirësitë e Bajernit për të gjetur një portier të ri ngadalësuan operacionin, por nuk ndryshuan planet. Për Trubin, megjithatë, pozicioni i Interit ka ndryshuar pak: nëse ukrainasit nuk ulin kërkesat e tyre, ata do të përpiqen të bllokojnë lojtarin për vitin e ardhshëm, duke zgjedhur në këtë pikë një sulmues të dytë me përvojë.
Nuk është mister që Audero pëlqehet në këtë drejtim. Në mesfushë, megjithatë, duhet të zyrtarizohen disa largime, kryesisht ajo e Sensit, për të nisur presionin më pas Samarxhiçin: mesfushori serbo-gjerman konsiderohet një investim në perspektivë, një profil perfekt për t’u përfshirë në projektin e rinovimit të skuadrës. Megjithatë, duhet mbajtur një sy edhe te Kamada, një objektiv që nuk është keq dhe i arritshëm ekonomikisht. Sa i përket mbrojtësit që mungon, megjithatë, do të vazhdohet me të njëjtën qetësi, ndoshta në ditët e fundit të merkatos, kur hapësirat për manovrim do të jenë më të qarta. Por është e sigurt që do të bëhet. Në fakt, vendi i liruar nga Shkriniari mbetet për t’u mbushur. Përdorimi i Bisekut në krah të djathtë mund të ndryshojë profilin e lojtarit të kërkuar. Nyja e vërtetë për të zgjidhur është ajo në lidhje me sulmin. Investimi më i shtrenjtë dhe kryesor. Nuk ka lojtarë të tjerë në treg me karakteristikat e Lukakut.
Lista e lojtarëve të këtij profili është e qartë: Morata, Balogun, Taremi, Skamaka dhe Beto (N’zola është alternativa e Korreas nëse argjentinasi do të largohej në ditët e fundit të gushtit). Spanjolli ishte sulmuesi i parë që Inzagi identifikoi në ditët pas ndarjes me belgun: i ndryshëm nga Big Rom, por me përvojë, i gatshëm dhe i besueshëm. Por më kushtet e Atletikos, nuk mund të bëhet. Ose më mirë, Interi nuk dëshiron. Skamaka, i tentuar nga Marota një vit më parë, përpara transferimit të tij në Angli, është ai që fizikisht i afrohet më shumë Lukakut, plus ai do t’i përgjigjej projektit gjithnjë e më të nxitur të italianizimit të kërkuar nga klubi. Operacioni që më së shumti intrigon, gjithsesi është ai për Balogun: i ri, teknik, i shpejtë, mbështetja ideale për Lautaron. Kushton shumë, Arsenali nuk bën zbritje, por ai ka bërë vetëm një sezon të nivelit të lartë në Ligën 1 me Reims (21 gola në kampionat). Dhe kjo peshon në çmimin për kartonin. Pra, pritshmëria aktuale mund të lidhet me vendimin për të parë se si evoluon tregu europian: një domino e shkaktuar nga Mbape, që mund të hapë mundësi të papritura. Tridhjetë ditë, në fund të fundit, janë një përjetësi në treg. Gjithnjë nëse qetësia aktuale të mos jetë thjesht në dukje e tillë.
PANORAMASPORT.AL