Trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri, ka vendosur të përballet me diellin e Kalifornisë pa kapele. Ai qëndron në vijën anësore, me duart e kryqëzuara, duke parë djemtë e tij në fushë. Pothuajse dy orë intensive nën vështrimin e vëmendshëm dhe plot pasion të rreth 200 fansave, shumica italianë, që tashmë jetojnë në SHBA prej shumë vitesh.
Në fund të seancës shpërthejnë duartrokitjet dhe Maksi shkon për të përqafuar Pinsolion, i cili sapo ka pritur dy penallti përballë Kostiçit dhe Gatit. Një nga aksiomat e trajnerit të Juventusit është se kampionatet fitohen me mbrojtje (teoria e konfirmuar edhe nga të dhënat) dhe ai nuk ka ndryshuar mendje ndër vite. Për këtë arsye, edhe në këtë fazë përgatitore në SHBA, ai po ngulmon shumë në këtë aspekt: stërvitjet e gjata ndërpriten shpesh për t’i dhënë këshilla afrimit më të ri, Timoti Ueah.
“MURI” I RI – Krahasuar me sezonin 2022-2023 nuk do të jetë më Leonardo Bonuçi – i lënë jashtë skuadrës për shkak të një zgjedhjeje teknike – veterani i fundit i BBC-së (Bonuçi, Barzalji, Kielini), por pjesa tjetër ka mbetur e pandryshuar. Me Danilon, i cili trashëgoi shiritin e kapitenit të mbajtur shumë shpesh sezonin e kaluar. Braziliani është lideri i departamentit, njeriu i besuar i Maksit dhe gjithashtu mendja e tij në fushë. Nuk është rastësi që në fund të stërvitjes Alegri u ndal për të folur me të. Baza e mbrojtjes së re të Juves pritet të jetë Danilo-Bremer-Gati.
NUMRAT DHE BILANCI – Të dhënat e sezonit të kaluar tregojnë se Juventusi e mbylli kampionatin me mbrojtjen e tretë më të mirë në Serinë A: vetëm Napoli (28 gola) dhe Lacio (30) dolën më mirë. Vitin e kaluar Maks bëri përpjekje të shumta për të gjetur një mbrojtje stabël, duke provuar kombinime të shumta. Dhe në fund duket se ia doli duke fiksuar një mbrojtje me Gatin në të djathtë, Bremerin në qendër dhe Danilon në të majtë. Kjo duhet të jetë edhe treshja bazë për sezonin e ardhshëm, me Aleks Sandron dhe Ruganin si alternativa. Mbrojtja për momentin është reparti në të cilin Alegri ka numrin më të vogël të problemeve: lojtarët janë të gjithë në dispozicion dhe ai mund të punojë me qetësi në zgjidhjet e ndryshme, edhe nëse rruga duket tashmë e shtruar.
KOLONA BREMER – Alegri nuk është një trajner dogmatik, por mbrojtja me tre lojtarë për momentin është sistemi ideal i lojës për të marrë më të mirën e mundshme nga karakteristikat e lojtarëve që ka në shërbim të tij. Në veçanti Bremer, i cili ndihet më rehat si një mbrojtës qendror në një mbrojtje me 3, sesa në një mbrojtje me katër. Në përgjithësi, bilanci i sezonit të tij të parë bardhezi është pozitiv, pavarësisht disa ndeshjeve të këqija: falë Juventusit ai arriti kombëtaren dhe Alegri pret më shumë prej tij, i cili tashmë ishte njohur me Serinë A (mbrojtësi më i mirë në Serinë A me Torinon në sezonin 2021-‘22) por tani me një vit Juve pas tij ai ka një bagazh edhe më të gjerë njohurish.
DANILO DHE GATI – Bremer është ai që duhet të mbulojë dhe të nxjerrë skuadrën përpara, teksa pranë tij do të ketë shokun e skuadrës te Brazili, që mund të luajë si në të djathtë ashtu edhe në të majtë. Danilo me Alegrin është rikthyer si qendërmbrojtës pas një jete si anësor dhe me petkun e tij të ri është bërë garanci. I urtë dhe i besueshëm, ai është i çmuar në mbrojtje dhe i dobishëm në sulm, sepse i pëlqen të marrë pjesë në manovra sulmuese. Më në fund Gati, i cili gjithashtu është kthyer në një mbrojtës garancie për Maks Alegrin.
Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI – PANORAMASPORT.AL