Dje zhvilloi, edhe pse i vetëm, stërvitjen e parë në strukturat e “Milanello”-s. Samuel Çukvueze do të punojë veçmas deri të njëjtën e ardhshme kur kuqezinjtë të kthehen në Itali nga turneu amerikan. Ndërkohë, nigeriani, ka dhënë një intervistë për televizionin e klubit.
Si është të stërvitesh i vetëm?
Milani është një klub fantastik dhe “Milanello” të jep idenë e madhështisë së klubit. Do të punoj disa ditë me stafin, por mezi pres të njoh e të takoj shokët e mi. Më kanë bërë shumë përshtypje në këto dalje të para dhe mezi pres të luajmë së bashku.
Përveç Osimhenit, keni folur me ndonjë shok tjetër për transferimin tuaj?
Kur mbërrita te Vijarreali pesë vjet më parë njoha Karlos Bakën. Ai ka luajtur me Milanin dhe më tha fjalët më të mira për këtë klub. Edhe ai më këshilloi transferimin në këtë skuadër me histori të lavdishme.
Si është historia juaj?
Kam qenë i lidhur gjithmonë me futbollin, por në Afrikë është e vështirë të dalësh në pah. Duhet të punosh shumë e të japësh gjithçka për të ardhur në Europë. Ka qenë një rrugëtim i gjatë dhe i mundimshëm, por duke parë ku kam arritur besoj se ia ka vlejtur. E të mendosh që mamaja ime nuk donte që të luaja futboll, por Zoti kishte hartuar një tjetër plan për mua. Me kalimin e kohës edhe mamaja u bind e ishte ajo që m’i dhuroi këpucët e para të futbollit.
Cili është pozicioni juaj i preferuar?
Më pëlqen të luaj në krahun e djathtë. Idhulli im ka qenë Arjen Roben dhe i kam parë të gjitha videot e tij. Për fat të keq dëmtimet e penalizuan, megjithatë ishte një lojtar fantastik. Më pëlqen shumë edhe Kaka. Vrapimet e tij ishin të jashtëzakonshme. Tani që kam mbërritur te Milani, dua edhe unë të tentoj të lë gjurmë.
Po jashtë fushe çfarë tipi jeni?
Më pëlqen vetmia dhe që të mos stresohem. Ka shumë rëndësi që të njoh qytetin ku jetoj e të shoh gjëra të reja. Më pëlqen shumë të provoj ushqimet që nuk i njoh dhe do të jetë një aventurë më vete të shijoj kuzhinën italiane. Në stërvitje punoj shumë, por jam edhe shakaxhi.
Keni ndonjë mesazh për tifozët tuaj të rinj?
Mezi pres t’i shoh në stadium, duke qenë se pas transferimit dhe para tij më kanë mbytur me mesazhe ku më ftonin të vija te Milani. Dua të shënoj shumë me këtë fanellë e t’i gëzoj tifozët me ndonjë trofe. Uroj të shihemi së shpejti.
PANORAMASPORT.AL